Ballina SPORT Futboll, Roma zyrtarizon trajnerin e ri

Futboll, Roma zyrtarizon trajnerin e ri

Eusebio Di Francesco u shkarkua nga pankina e skuadrës së Romës për shkak të rezultateve negative dhe daljes nga Liga e Kampioneve me humbjen e fundit ndaj Portos.
Ekipi i kryeqytetit italian priti mbylljen e bursës për të zyrtarizuar me një komunikim të thatë ndryshimet në stafin teknik.

Di Francesco, i cili më parë ka veshur fanelën e Romës si futbollist dhe ka fituar një titull kampion në vitin 2001, gjendej në pankinën e skuadrës kryeqytetase që prej verës së vitit 2017. Trajneri do të kujtohet nga tifozët për inspirimin deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar falë përmbysjes me Barcelonën, vendi më i mirë i Romës në Europë që nga viti 1984.

Por, tani e ardhmja rezervon një rikthim të bujshëm. Në pankinën e verdhekuqve ulet Claudio Ranieri, trajneri veteran që dha dakordësinë për të marrë një ekip thuajse në fundin e sezonit. Ranieri u përzgjodh kundrejt kandidaturës së Cristian Panuccit, trajnerit aktual të kombëtares shqiptare të futbollit.

8 vjet më vonë, tekniku roman rikthehet në pankinën e të njëjtës skuadër me synimin për t’i kualifikuar në Champions. Kontrata për të do të jetë 3 muaj dhe në qershor do të vlerësohet më pas e ardhmja e Ranierit.