Ballina SPORT Futboll, rimëkëmbja e Skënderbeut i besohet teknikut Ilir Daja

Futboll, rimëkëmbja e Skënderbeut i besohet teknikut Ilir Daja

Pas dënimit të marrë nga UEFA, projekti i ri i rimëkëmbjes së klubit korçar i është besuar edhe një herë teknikut Ilir Daja, trajnerit që vendosi rekorde në drejtimin e kësaj skuadre. Daja është prezantuar edhe zyrtarisht në krye të pankinës së Skënderbeut, duke treguar edhe arsyet që e shtynë të pranojë ofertën e marrë nga presidenti Ardian Takaj.

“Kam patur oferta të ndryshme, por zgjodha Skënderbeun, – tha Daja gjatë prezantimit. – Kam kaluar këtu kulmin e karrierës, kemi bërë gjithçka brenda një edicioni. Këtë radhë truri ka dëgjuar zemrën.”

Gjithsesi, tekniku Daja ka pranuar se situata ku gjendet Skënderbeu është e vështirë, duke bërë që ai të mos vendosë objektiva konkretë. “Situata është e veçantë dhe të gjithë aktorët duhet të jenë pjesë e motivimit, – ka theksuar ai. – Merkatoja duhet të nisë me lojtarin e dymbëdhjetë, që janë tifozët dhe që të jenë përkrah nesh. Ne nuk mund të dalim me objektiva konkretë, pasi, edhe pse kemi një grup me eksperiencë, skuadra duhet kompletuar, por afati kohor është i limituar. Ne nuk mund të pretendojmë se do të jemi “lokomotiva” e garës, por aty afër.”