Ballina SPORT Futboll, realizoi hat-trick në Hungari, Latifi zbulon dedikimet speciale

Futboll, realizoi hat-trick në Hungari, Latifi zbulon dedikimet speciale

Ish-futbollisti i Skënderbeut, Liridon Latifi, dhuroi spektakël disa ditë më parë në sfidën e Kupës së Hungarisë, duke shënuar tripletë me fanellën e Pushkashit në fitoren 3-1 ndaj Paks.

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, në një intervistë tregon se golat e shënuar ja dedikon gjyshit të tij, i cili disa ditë më parë humbi jetën dhe nënës që dje festoi ditëlindjen.

“Çdo gol të bën që të ndihesh mirë e sidomos kur shënon hat-trick dhe kualifikon skuadrën. Ishte një ndeshje shumë e fortë fizikisht dhe e kemi përballuar me shumë sukses. Ne e kemi si synim Kupën e Hungarisë. Po ndihem shumë mirë që e ndihmova skuadrën në një fazë shumë të rëndësishme,” – tha fillimisht Latifi.

“Për golat i kam dy dedikime. I pari është për gjyshin tim, i cili ka ndërruar jetë para pak ditësh dhe ka qenë tifoz i madh imi. Dedikimi i dytë është për nënën time e cila, në ditën kur shënova hat-trick, ka festuar ditëlindjen,” – u shpreh Latifi.