Ballina Aktualitet Futboll, ndeshja Shqipëri-Francë, masat e Policisë së Shtetit për lëvizjen e automjeteve

Futboll, ndeshja Shqipëri-Francë, masat e Policisë së Shtetit për lëvizjen e automjeteve

Policia e Shtetit ka njoftuar marrjen e një sërë masash për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Francë, mbrëmjen e së dielës në Stadiumin “Arena Kombëtare”, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të Futbollit Euro 2020.

Policia e Shtetit njofton se do merren një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se sa perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit.

Masat përfshijnë kufizimin dhe ndalimin e qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në disa akse rrugore rreth tij. Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të Stadiumit “Arena Kombëtare” do të jenë të lira vetëm Rruga e Elbasanit dhe unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet.

Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17 nëntor duhet të largohen.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 minuta dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30 minuta.