Ballina LAJME Futboll, ndahet nga jeta Selim Gjoci, ish-futbollisti i Besës dhe i Dinamos

Futboll, ndahet nga jeta Selim Gjoci, ish-futbollisti i Besës dhe i Dinamos

Selim Gjoci, me numrin 11 në fotografi (Besa e Kavajës, 1969)

Selim Gjoci, ish-futbollisti i mirënjohur i Besës së Kavajës, por jo vetëm, është ndarë nga jeta sot, duke bërë që bashkëkohësit e tij dhe gjithë dashamirësit e futbollit ta kujtojnë atë dhe mjeshtërinë e tij në fushën e blertë.

Talenti i të riut Selim Gjoci ra menjëherë sy dhe në vitin 1960 ai iu bashkua ekipit të Dinamos, në Tiranë. Por, në kryeqytet ai luajti shumë pak, për shkak edhe të biografisë jo të pastër për kohën. Megjithatë, ai ishte pjesë e Dinamos, kur ekipi fitoi Kampionatin Kombëtar të Futbollit në vitin 1960. I ati i Selimit, Alush Gjoci, ishte dënuar nga regjimi komunist i kohës për arsye politike dhe i riu Selim Gjoci dëbohet nga Dinamo, duke u dërguar në Gradishtë të Lushnjes, ku do të kryente edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Por, dashuria e tij për ‘lojën e bukur’ dhe talenti i tij i veçantë në fushën e blertë bënë që ai të tërhiqej menjëherë tek ekipit i Traktorit të Lushnjes, nën kujdesin e të madhit Abdurrahman Roza Haxhiu. Në fakt, Roza Haxhiu, që në atë kohë ishte trajner i Traktorit, kishte luajtur edhe vetë me Besën e Kavajës, duke u ndjerë kështu edhe më i afërt me futbollistin e ri kavajas.

Pas dy viteve me Traktorin, Selim Gjoci kthehet në qytetin e tij të lindjes, ku për vite me radhë luan me ekipin e Besës, për njëfarë kohe së bashku me vëllain e tij Esat Gjoci.

Pavarësisht se tani nuk jeton më, Selim Gjoci është pjesë e historisë së futbollit shqiptar dhe pjesë e paraharrueshme e historisë së Klubit Sportiv Besa.

(Shënim: Në fotografi, Selim Gjoci është portreti me numrin 11)