Ballina LAJME Futboll, ikën Ancelotti, në krye të Napolit vjen Gattuso, lajm i mirë...

Futboll, ikën Ancelotti, në krye të Napolit vjen Gattuso, lajm i mirë për Hysajn

Gennaro Gattuso do të jetë trajneri i ri i SSC Napoli. Ky është lajmi i bujshëm që vjen nga mediat italiane, të cilat konfirmojnë se ish-tekniku i AC Milan ka arritur marrëveshjen për drejtimin e klubit të famshëm italian, pas një serie rezultatesh negative nën drejtimin e Carlo Ancelotti. Aktualisht, SSC Napoli ndodhet në vendin e shtatë në tabelën e renditjes, duke rrezikuar të mbetet jashtë aktiviteteve futbollistike evropiane.

SSC Napoli luan sot kundër skuadrës belge KRC Geng, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin E të Ligës së Kampionëve. Mësohet se Ancelotti do të drejtojë napoletanët edhe për këtë ndeshje të fundit, ndonëse largimi i tij është tashmë konfirmuar, pavarësisht nëse SSC Napoli kalon ose jo në turin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Gjasat janë që ky ndryshim do të ishte një shenjë e mirë edhe për kapitenin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Shkodrani kishte dalë totalisht jashtë planeve të teknikut Ancelotti, ndërkohë që nën drejtimin e Gattuso mund të gjejë hapësirat e nevojshme.