Ballina LAJME Futboll, eliminatoret e Euro 2020, sonte kundër Turqisë, humbja i nxjerr kuqezinjtë...

Futboll, eliminatoret e Euro 2020, sonte kundër Turqisë, humbja i nxjerr kuqezinjtë jashtë gare

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë sonte një finale të vërtetë në Stamboll përballë Turqisë, pasi i duhet një fitore me çdo kusht për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2020.

Çdo rezultat tjetër përveç fitores për kuqezinjtë nuk vlen, pasi shanset për t’u kualifikuar do të ishin thuajse zero. Aktualisht Turqia ka 15 pikë dhe kryeson grupin së bashku me Francën me pikë të barabarta, ndërsa Islanda ka 12 pikë dhe më pas vjen Shqipëria me 9 pikë.

“Ky ekip meriton të bëjë paraqitje dinjitoze,” – tha tekniku Reja një ditë para ndeshjes me Turqinë.

Trajneri Reja pritet që të zbresë në fushë me një formacion 3-5-2. Në portë do të jetë Strakosha, përpara tij Dermaku, Gjimshiti dhe Ismajli. Mesfusha e ngjeshur me pesë lojtarë do të përbëhet nga Lenjani, Bare, Gjasula, Memushaj dhe Roshi, ndërsa goli do të kërkohet nga Manaj dhe Cikalleshi.

Sfida do të luhet sonte, në orën 20:45 minuta.