Ballina LAJME Futboll, dy ekipet e të rinjve të Besës dalin pa pikë nga...

Futboll, dy ekipet e të rinjve të Besës dalin pa pikë nga përballja me Flamurtarin (VIDEO)

Foto ilustruese

Dy ekipet e të rinjve të Besës së Kavajës, ato të moshave nën 17 vjeç dhe nën 19 vjeç, nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë në përballjet respektive me Flamurtarin e Vlorës. Ndeshjet e zhvilluan në Kavajë, në kuadër të Grupit B të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

Ishin djemtë e ekipeve U-17 ata që u ndeshën të parët. Lojtarët e Besës së Kavajës nuk arritën t’i bënin dot ballë ekipit të Flamurtarit. Në fakt, Flamurtari i Vlorës ndodhet në vendin e parë, në tabelën e renditjes, ndërsa Besa e Kavajës ndodhet në vendin e fundit, pa mundur dot të marrë asnjë pikë nga pesë ndeshjet e zhvilluara. Kjo diferencë u duk edhe në takimin e zhvilluar mes tyre, ku vlonjatët fituan me rezultatin 3 me 1.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, atë të ekipeve U-19, djemtë e Besës së Kavajës u përpoqën më shumë, por nuk arritën të merrnin ndonjë rezultat pozitiv ndaj Flamurtarit. Besa ishte disi e pafat, pasi i gjithë takimi u mbyll vetëm me një gol, gol të cilin ishin kavajasit ata që e shënuan në portën e tyre. Flamurtari arriti të fitojë me rezultatin e ngushtë 1 me 0, duke ruajtur kështu vendin e dytë në tabelën e renditjes.

Këtë sezon futbollistik, të dy ekipet e të rinjve të Besës së Kavajës nuk e kanë nisur mirë, pasi deri tani nuk kanë arritur të marrin as edhe një pikë.