Ballina SPORT Futboll, Besa ndalet nga Orikumi, ndeshja mbyllet në barazim pa gola

Futboll, Besa ndalet nga Orikumi, ndeshja mbyllet në barazim pa gola

Besa e Kavajës nuk mori dot më shumë se një pikë në ndeshjen e luajtur në fushën e saj ndaj Orikut të Vlorës. Takimi, i vlefshëm për Javën XIV të Grupit B të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, u mbyll në barazim pa gola, pasi asnjë prej skuadrave nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës.

Besa u nda nga kjo ndeshje me dy kartonë të verdhë. Gjyqtari kryesor Ervin Kotomelo dënoi Mëllugjan dhe Diksonin e Besës, ndërkohë që për lojtarët e Orikut e futi tri herë dorën në xhep. Kartoni i verdhë iu tregua Kuçit, Dhramit dhe Zuluagës.

Në pjesën e dytë, të dy trajnerët, Gentian Begeja i Besës dhe Artan Sakaj i Orikut, kryen të gjitha ndërrimet që kishin në dispozicion, por rezultati i lojës nuk ndryshoi.

Pavarësisht rezultatit, Besa e Kavajës e ruajti pozicionin në tabelën e renditjes. Pas 14 ndeshjes, Besa ka tashmë 26 pikë dhe është e dyta në renditje, pas Bylisit me 30 pikë. Megjithatë, Egnatia, që është në vendin e tretë, ka 25 pikë dhe Pogradeci, në vendin e katërt, ka 22 pikë. Kjo do të thotë se Besa nuk e ka aspak të sigurt vendin që mban në tabelën e renditjes dhe nuk ka më luksin për të lënë pikë rrugëve.

Këtë ndeshje, për shkak të një dënimi të marrë nga Komisioni i Disiplinës i FSHF, Besa e luajti pa praninë e tifozëve në stadium, gjë që me sa duket ndikoi tek loja e lojtarëve kavajas, të cilët nuk arritën të zhbllokonin rezultatin.