Ballina Kuriozitete Futboll, 111-vjetori i themelimit të FC Inter Milan, presidenti i parë ishte...

Futboll, 111-vjetori i themelimit të FC Inter Milan, presidenti i parë ishte shqiptar nga Çamëria

Nga e majta në të djathtë: Paramithioti (Paramithiotti), Muggiani, Rietmann, Hirzel, Bach, Ansbacher, Glockner.

Klubi i mirënjohur italian i futbollit Football Club Internazionale Milano (i njohur sot si FC Inter Milano) feston sot 111-vjetorin e themelimit, por pak kush e di që presidenti i parë i këtij klubi ishte shqiptari Gjon Paramithioti nga Çamëria.

Për afro një vit, që nga themelimi i klubit më 9 mars 1908, Gjon Paramithioti (i njohur nga italianët si Giovanni Paramithiotti) ishte presidenti i Football Club Internazionale Milano.

Gjon Paramithioti (Giovanni Paramithiotti)

Klubi i futbollit Football Club Internazionale Milano lindi nga bashkimi i 44 aksionarëve të pakënaqur të Milan Football & Cricket Club (që sot njihet si Associazione Calcio Milan). Pakënaqësitë lindën nga refuzimi i drejtuesve të AC Milan për të aktivizuar futbollistë me kombësi të huaj, dhe kjo ishte edhe arsyeja e përzgjedhjes së emrit të klubit të ri të futbollit që u themelua, po ashtu edhe e përzgjedhjes së ngjyrave, si shenjë dalluese e largimit nga tradita e klubit të mëparshëm.

Që në vitin 1908, FC Inter Milan filloi të marrë pjesë në aktivitetet futbollistike kombëtare dhe, deri më sot, është i vetmi klub italian futbolli që ka marrë pjesë në të gjithë edicionet e Serie A, që nga themelimi i saj në vitin 1929. Në nivel kombëtar, FC Inter Milan ka fitur 30 trofe të ndryshme, duke u shpallur 18 herë kampion i Italisë, shtatë herë fitues i Kupës së Italisë dhe pesë herë fitues i Superkupës së Italisë. Njëkohësisht, FC Inter Milan ka fituar edhe mjaft trofe në nivel ndërkombëtar.

Aksionarët themelues të FC Inter Milan

Megjithatë, fillimet i ka tek dëshira e një grupi biznesmenësh për të investuar dhe krijuar një klub futbolli, ku edhe italiani me origjine shqiptare nga Çamëria luajti rolin e tij themelor. Gjon Paramithioti lindi në Venecia të Italisë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga Paramithia që në shek. XVIII, fillimisht në Korfuz e më pas në Itali (kjo edhe për faktin se, në atë kohë, ishulli i Korfuzit kontrollohej nga Venediku). Paramithiotët janë ndër familjet më të mëdha në zonën e Çamërisë, prej së cilës kanë dalë shumë figura të njohura, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer në themelimin dhe forcimin e shtetit grek në shek. XIX.