Fuste drogë në burgun “313”, arrestohet dentisti, zbulohet skema

50

Nën akuzën se fuste drogë në burgun e sigurisë së lartë “313” në Tiranë, arrestohet dentisti.

Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kryen një operacion për arrestimin e një punonjësi të Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “313” për të cilin ka pasur dyshime bindëse mbi aktivitetin e tij dhe një të paraburgosuri.

Pas informacioneve të marra, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka vlerësuar dhe organizuar punën për kapjen dhe goditjen e një rasti shpërndarjeje të lëndës narkotike në IEVP Jordan Misja, ku si pasojë u bë arrestimi i stomatologut dhe një të paraburgosuri.

I paraburgosuri R.S., rreth orës 11:30 të së premtes është vizituar tek stomatologu i burgut “313″ Jordan Misja, F.B., kabineti i të cilit ndodhet në godinën B të institucionit. Pas vizitës dentare, ura metal-detektor gjatë kthimit të këtij të paraburgosuri ka dhënë sinjal dhe pas kontrollit fizik në trupin e tij u gjet një sasi e konsiderueshme lëndë e dyshuar narkotike rreth 100 gramë e mbështjellë me letër alumin dhe me plastmas.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se i paraburgosuri R.S., dhe stomatologu F.B., kanë patur kontakt me njëri-tjetrin. Në vajtje për te klinika nuk është dhënë sinjal nga ura metal-dedektor, ndërsa në kthim janë aktivizuar sinjalet e urës.

Pas kryerjes së veprimeve proceduriale dhe administrimit të provave si, deklarime, këqyrja e kamerave, dokumenta, etj, u bë arrestimi i tyre.

Ndaj dentistit materialet do ti referohen Prokurorisë Tiranë për veprën penale të “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara”, ndërsa ndaj të paraburgosurit R.S., për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.