Frikësoi banorët duke qëlluar me armë zjarri, arrestohet i riu (EMRI)

179

Gledis Lipe është personi që një ditë më parë qëlloi me armë zjarri në fshatin Ferras të Divjakës, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Policia thotë se 28-vjeçari ka qëlluar me armë për motive të dobëta, ndërsa për ngjarjen janë proceduar penalisht edhe tre persona.

I riu nga Lushnja akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kanosja” e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit P. G., 47 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Kanosje” e kryer në bashkëpunim; K. N., 20 vjeç, banues në Lushnjë dhe E. B., 32 vjeç, banues në Golem, Lushnjë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi G. L., në bashkëpunim me tre shtetasit e proceduar, ka qëlluar për motive të dobëta, me armë zjarri automatik në ajër, në afërsi të banesës së shtetasit P. B., në fshatin Ferras”, thuhet në njoftimin e policië.

Një gëzhojë dalë nga një automatik është sekuestruar në vendin e ngjarjes.