Ballina Uncategorized Francë, thirrje për qetësi

Francë, thirrje për qetësi

Ministri i Brendshëm i Francës Christophe Castaner u bëri thirrje protestuesve “të arsyeshëm” që të ndahen nga ekstremistët dhe të mos mblidhen sërish në Paris të shtunën e ardhshme.

Duke folur gjatë një mbledhjeje të Senatit të martën, Castaner përshëndeti rolin e policisë në protestën e 1 dhjetorit që pavarësisht dhunës ekstreme, arritën të mbajnë nën kontroll gjendjen në Paris.

“Dua të përfitoj nga rasti që ndodhen këtu për të dërguar një mesazh të rëndësishëm: një thirrje për qetësi. Një thirrje drejtuar protestuesve të arsyeshëm dhe atyre që nuk e mbështesin dhunën, që të largohen nga ekstremistët.”

Lëvizja e “jelekëve të verdhë”, filloi më 17 nëntor në rrjetet sociale me qëllim për të ngritur zërin për rritjen e shpenzimeve të familjeve si pasojë e taksës së re mbi karburantet të njoftuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Pas disa javë protestash, kryeministri Edouard Philippe i pezulloi planet për vendosjen e taksës së re, duke shënuar një hap prapa për administratën e presidentit Macron që qeveris prej 18 muajsh.
Kryeministri Philippe tha se do të ketë një periudhe diskutimesh për të marrë masa për të ndihmuar të varfrit dhe familjet e shtresës së mesme.