Ballina BOTA Francë, kryeministri Philippe premton unitet pas protestave të dhunshme

Francë, kryeministri Philippe premton unitet pas protestave të dhunshme

Kryeministri francez, Edouard Philippe është zotuar “t’i rikthejë unitetin kombit”, pas dhunës që shpërtheu gjatë fundjavës së katërt radhazi të protestave masive në vend.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës të shtunën, dita më e fundit e demonstratave të “jelekverdhëve” kundër rritjes së taksës së karburantit dhe kostos së lartë të jetesës në vend.

Rreth 1.000 njerëz janë shoqëruar në rajonet policore, megjithëse dhuna nuk ishte e të njëjtit nivel si një javë më parë, kur u shkatërrua thuajse gjithçka, pa shmangur as dëmtime të “Harkut të Triumfit”.

“Dialogu me protestuesit paqësor duhet të vazhdojë. Asnjë taksë nuk duhet të vërë në dyshim unitetin e vendit tonë. Tashmë na duhet të punojmë për të rikthyer këtë unitet përmes dialogut, punës dhe duke u mbledhur së bashku,” – tha kryeministri francez, Philippe.

Sipas tij, presidenti Emmanuel Macron, “kokën” e të cilit po kërkojnë tashmë protestuesit, shpejt do të prezantojë “masat e reja për të bërë të mundur dialogun”.

Rikujtojmë se të shtunën, rreth 125 mijë njerëz dolën në rrugë për të marrë pjesë në marshimet anembanë vendit, sipas asaj që njoftoi Ministria e Brendshme. Afro 90 mijë oficerë ishin vënë në gatishmëri, përfshi 8 mijë në Paris, aty ku u përdorën edhe 12 mjete të blinduara.

Në kryeqytetin francez pati rreth 10 mijë protestues, ndërsa pamja e ofruar ishte nga më shkatërrimtaret. Xhama dyqanesh u thyen, automjete u dogjën dhe dyqane të shumta u vodhën. Pamjet filmike treguan protestuesit teksa qëlloheshin me plumba gome, edhe në fytyrë madje, e mes të goditurve ishin edhe 3 pjesëtarë të shtypit, sikurse edhe 17 oficerë policie.