Ballina BOTA Francë, “jelekverdhët” shënjestrojnë pikat kufitare

Francë, “jelekverdhët” shënjestrojnë pikat kufitare

“Jelekverdhët” e pakësuar ndjeshëm francezë, tri ditë përpara vigjiljes së Krishtlindjes dolën sërish në rrugë për të protestuar për të gjashtën fundjavë radhazi, duke shënjestruar tashmë pikat kufitare, ndërkohë që një aksident fatal rrugor e çoi numrin e viktimave në 10, që prej nisjes së kësaj lëvizjeje “antiMacron” muajin e kaluar.

Rreth 38 mijë e 600 francezë morën pjesë në protestat e kësaj të shtune në Francë, në disa qytete të vendit, shumë herë më pak sesa 66 mijë protestuesit e fundjavës së kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme. Ajo shtoi gjithashtu se 220 persona u prangosën në mbarë vendin, 81 prej të cilëve vijojnë të mbeten në qelitë e paraburgimit.

Në Paris, skenë e përplasjeve të dhunshme gjatë demonstratave të mëparshme, rreth 2.000 protestues u bashkuan me grumbujt e njerëzve në disa rrugë, krahasuar me 4.000 gjatë javës së kaluar. E pavarësisht numrit më të pakët, me të rënë muzgu në sheshin e famshëm “Champs Elysees” shpërtheu sërish dhuna, duke shkaktuar mbylljen e dyqaneve e bizneseve që ishin ende të hapura për shkak të fundjavës përpara Krishtlindjes.

Policia pariziene tha se kishte arrestuar 142 persona, 19 prej të cilëve mbeten në paraburgim, përfshi këtu edhe kreun e “jelekverdhëve” Eric Drouet. Zëdhënësi i qeverisë, Benjamin Griveaux shfrytëzoi rrjetet sociale për të shkruar se “pas dhunës fshihej e njëjta fytyrë frikacake, raciste, antisemite dhe puçiste”.