Ballina BOTA Francë, gaz lotsjellës kundra “jelekëve të verdhë”

Francë, gaz lotsjellës kundra “jelekëve të verdhë”

Qindra mbështetës të “jelekëve të verdhë” u mblodhën të shtunën në raundin e shtatë të protestave kundër qeverisë franceze, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Emanuel Makron.

Numri i protestuesve këtë fundjavë ishte dukshëm më i ulët sesa javët e kaluara por sërish nuk munguan aktet e dhunës. Forcat e rendit u detyruan të përdorin gazlotsjellës dhe granata tymuese ndaj agresorëve të shpërndarë në shinat e tramvajit në Paris që flaknin gurë e objekte të tjera drejt policëve.

Në të gjithë Francën mendohet se të shtunën protestuan rreth 12 mijë persona, krahasuar me numrin rekord prej rreth 280 mijë protestuesish në demonstratën e parë të 17 nëntorit.

Fokusi i protestave të “jelekëve të verdhë” tashmë është devijuar nga kundërshtimi i taksave, dhe kostos së lartë të jetesës drejt një zemërimi popullor me politikat e presidentit Makron.

Pjesëtarët më të zjarrtë të grupit të protestuesve, premtojnë se lëvizja e tyre do të zgjatë përtej vitit 2018, madje planifikohet që të mbahen protesta edhe në natën e ndërrimit të viteve.