Ballina Aktualitet Fondacioni Qatar Charity nderon Bashkinë e Kavajës dhe kryebashkiakun Sakja

Fondacioni Qatar Charity nderon Bashkinë e Kavajës dhe kryebashkiakun Sakja

Nisur nga bashkëpunimi shumëvjeçar dhe mjaft frytdhënës, Fondacioni Qatar Charity ka nderuar sot Bashkinë e Kavajës me dekoratën e veçantë “Çmimi i Mirënjohjes”, dekoratë kjo që iu dorëzua kryebashkiakut Isa Sakja. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtuesit e Fondacionit Qatar Charity falenderuan kryebashkiakun Sakja për vullnetin dhe përkushtimin e tij për të lehtësuar sa më shumë bashkëpunimin me Bashkinë e Kavajës.

Fondacioni Qatar Charity, një nga organizatat bamirëse më të njohura në botë me origjinë nga Katari, ka si mision të vetin mbështetjen e shtresave shoqërore më në nevojë. Zbutja e varfërisë nëpërmjet projekteve të ndryshme humanitare dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare, dhe në veçanti i të rinjve e të rejave, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve arsimore për t’i ndihmuar drejt integrimit në shoqërinë evropiane mbetet objektivi kryesor i punës së Fondacionit Qatar Charity.

Bashkëpunimi me Bashkinë e Kavajës ka qenë mjaft larmishëm dhe i përqëndruar kryesisht tek ndihma për familjet në nevojë. Duke bashkëpunuar me Fondacionin Qatar Charity, Bashkia e Kavajës ka arritur të zbatojë projekte të ndryshme, që nga instalimi i sistemeve të ngrohjes për institucionet e arsimit parashkollor e deri tek ndihma për familjet e varfëra dhe fëmijët jetimë.

Në ceremoninë e organizuar për dorëzimin e dekoratës, kryebashkiaku kavajas Isa Sakja premtoi vijimin e bashkëpunimit frytdhënës dhe zgjerimin e tij edhe në fusha të tjera në ndihmë të komunitetit të zonës.

Fondacioni Qatar Charity vepron në vendin tonë, me projekte të ndryshme humanitare, që prej vitit 2003.