Ballina Aktualitet Tiranë, flet gazetari i Bild: Përgjimet i mora aty, ju qeveriseni nga...

Tiranë, flet gazetari i Bild: Përgjimet i mora aty, ju qeveriseni nga një mafie e korruptuar

Gazetari Peter Tiede, i cili tronditi politikën shqiptare, me publikimin e gjashtë përgjimeve të reja nga dosja 339/1 ka dhënë një intervistë për emisionin Opinion. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë situatë është pyetja nëse këto materiale janë autentike apo jo. Gazetari Peter Tiede këmbëngul se materialet janë të vërteta, nuk ka mashtrime dhe të gjitha materialet janë testuar.

“Burimet janë absolutisht të besueshme, janë burime shqiptare që na janë vendosur në dispozicion nga Tirana,” – thekson Peter Tiede.

Në përgjime dalin lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, i dyshuar si kreu i një grupi kriminal në zonën e Shijakut, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, por dhe me kandidatin aktual të Partisë socialiste për Bashkinë e Shijakut, Elton Arbana, si edhe angazhimi i Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi.

Sa i përket mundësisë së përballjes me drejtësinë për akuzat që përgjimet aludojnë, gazetari gjerman tha: “Uroj dhe shpresoj që ta bëjnë këtë gjë, pasi kështu do dalin në gjyq dhe ne do të paraqesim provat.” “Edhe unë vlej si provë, sigurisht, – shtoi ai. – Kështu gjykatësit do të vërtetojnë nëse unë gënjej dhe nëse ju në Shqipëri qeveriseni nga një mafia e korruptuar. Unë e di që kam të drejtë.”