Fiter Bajrami/Gurra bën thirrje që të paktën në zonat e gjelbërta falja të mbahet në shesh

41

Komuniteti Mysliman të Shqipërisë në kuadër të parandalimit të koronavirusit ka vendosur se falja e Namazit të Fitër Bajramit do të kryhet në xhami e jo në sheshet e qytetit. Kjo si pasojë e masave të marra për të parandaluar koronavirusin. Zakonisht në Tiranë, falja e Namazit të Fiter Bajramit kryhej në sheshin “Skënderbej”, por këtë vit është ndryshe.

Disa nga besimtarët janë shprehur se ndryshimi i vendit për ta nuk përbën ndryshim sepse feja është çështje shpirtërore. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët për Fiter Bajramin teksa ka falenderuar ata që luftojnë në vijë të parë me virusin.

Nesër është Fitër Bajrami dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë bajrami në familjet tuaja! Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera, u privuam nga namazet e përbashkëta, iftaret dhe festimet me të dashurit. Por falë Zotit ky Bajram vjen në një situatë më të përmirësuar. Me këtë rast dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, që punuan me përkushtim për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia”,  u shpreh kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

Kryeministri Edi Rama lajmëroi se dita e djelë, e cila përkon me festën do të shënojë hapjen e xhamive për të bërë të mundur faljen në to.

Ish myftiu i Tiranës, Ylli Gurra është shprehur për mediat se do të ishte mirë që të paktën besimtarët në zonat e gjelbërta të faleshin në sheshe.

“Deri në këto momente Bajrami në zonat e kuqe do të falet në Xhami. Kryeministri ka thënë se nga nesër brenda parametrave, në zonat e kuqe, Bajrami të falet në Xhami. Do ishte mirë që Bajrami në zonat e gjelbra të falej në hapësirat publike siç është falur çdo vit. Sigurisht duke respektuar me rigorozitet masat e higjienës.”- u shpreh ish myftiu i Tranës, Ylli Gurra.

Kujtojmë se falja e namazit të Bajramit do të kryhet në orën 6:00 të mëngjesit të dielën në xhami.