Finalizohet operacioni “Emigranti”/ Arrestohet autori që falsifikonte pasaporta

65
Foto ilustruese

Policia e Pogradecit ka vendosur në pranga një shtetas 49-vjeçar i cili falsifikonte pasaporta, kartela punësimi, leje drejtimi për automjetet dhe leje kalimi për shtetasit e huaj.

Mësohet se pas një hetimi disa mujor, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Emigranti”.

Si rezultat, në pranga u vu N. J., 49 vjeç, banues në Pogradec. Nga hetimet rezulton se 49-vjeçari e ushtronte veprimtarinë e tij në banesë.

Pas kontrolleve, policia sekuestroi 8 telefona celularë; 1 vulë universale e cila dyshohet se përdorej për falsifikim; 7 pasaporta të dyshuara si të falsifikuara me identitete të ndryshme, 1 dokument identifikimi grek, 8 certifikata familjare të shtetasve të ndryshëm, disa leje kalimi për në shtetin grek dhe italian me identitete të ndryshme personash; 105 leje kalimi të tjera të paplotësuara por të vulosura, 3 leje drejtimi shqiptare të dyshuara si të falsifikuara; kartela punësimi të vulosura dhe të nënshkruara.