Ballina Aktualitet Fier, ministri Gjiknuri: Dixhitalizim i fondeve të të dhënave teknike të hidrokarbureve

Fier, ministri Gjiknuri: Dixhitalizim i fondeve të të dhënave teknike të hidrokarbureve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Ardian Bylyku dhe përfaqësuesi i kompanisë SHELL në Shqipëri Rohan D’Souza inspektuan ambientet e Arkivit Teknik Hidrokarbure në qytetin e Fierit.

Në përmbushje të detyrimeve të saj ndaj shtetit shqiptar në kuadër të marrëveshjeve hidrokarbure të cilat ka nënshkruar, kompania SHELL Upstream Albania ka mundësuar financimin e procesit të dixhitalizimit të kësaj arkive si forma më e mirë për të shpëtuar materialet nga degradimi. Në fazën e parë do të investohen 500,000 paund për këtë projekt.

Ministri Gjiknuri theksoi se dixhitalizimi është një hap shumë i rëndësishëm drejt modernizimit të të dhënave për hidrokarburet.

“Do të bëjë të mundur të hidhen në format elektronik të gjithë shiritat, të gjithë të dhënat historike dhe kjo nuk ka vetëm efektin e një ruajtje më të mirë, por mbi të gjitha kjo vlen që ne të marketojmë më mirë pasuritë tona nesër për investitorë të huaj. Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronik dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive, në këtë rast pasurive hidrokarbure shqiptare,” – nënvizoi Gjiknuri.

Mjafton të shikojmë gjendjen e këtij arkivi, tha Gjiknuri, si janë mbajtur ato dhe do të kuptojmë në çfarë situate dhe në çfarë rreziku i kërcënoi humbjen e shumë të dhënave të cilat mund të mos rikuperoheshin më.

Përfaqësuesi i SHELL u shpreh i kënaqur që kjo kompani është pjesë e këtij projekti për të dixhitalizuar fondin e arkivit hidrokarbur.