Ballina Aktualitet Festat e fundvitit, Policia e Shtetit shton masat e sigurisë

Festat e fundvitit, Policia e Shtetit shton masat e sigurisë

Policia e Shtetit ka njoftuar marrjen e një sërë masash për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit. Albert Dervishaj, drejtori i Policisë së Rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në një deklaratë për mediat theksoi se, në kuadër të ruajtjes së qetësisë publike, në operacione do të përfshihen edhe njësitë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Dervishaj deklaroi se “strukturat e Policisë së Shtetit do të analizojnë dhe rivlerësojnë informacionet për identifikimin e autorëve të ngjarjeve kriminale kundër jetës dhe pronës, konfliktet për motive të ndryshme, për personat në kërkim, si edhe do të organizojnë operacione për kapjen e tyre, duke angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.”

Mësohet se, në bazë të planeve të vendosjes së shërbimeve të Policisë Shtetit, krahas monitorimit të akseve kryesore rrugore kombëtare, njësitë e specializuara të FNSH do të përqëndrohen kryesisht në Tiranë, Fier dhe Shkodër. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shesheve të qyteteve, ku priten të organizohen edhe festa masive gjatë gjithë natës së ndërrimit të viteve.