Ballina Aktualitet Fermerët kërkojnë rimbursim të plotë të TVSH-së: Do falimentojmë

Fermerët kërkojnë rimbursim të plotë të TVSH-së: Do falimentojmë

Grumbulluesit paralajmëruan një ditë më parë se do të blejnë më lirë qumështin nga fermerët, pas uljes së vlerës së tatimit mbi vlerën e shtuar që u rimbursohet nga qeveria.

Por blegtorët në fshatin Vajkan të Fierit thonë se ky vendim do t’i çojë ata drejt falimentit, pasi me çmim më të lirë ata nuk do të mund të mbulojnë dot kostot e prodhimit.

Ata kërcënojnë se do të hedhin prodhimin e tyre në rrugë, nëse e shesin qumështin me çmime qesharake te grumbulluesit.

Afati që agropërpunuesit i kanë lënë qeverisë për të reflektuar mbi këtë nisëm është data 14 Mars. Sipas tyre, ulja e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 20 në 6%, ka bërë që gjithë pesha e kësaj takse të mbahet nga ata, dhe jo nga fermeri, prandaj pas kësaj date, ata do të nisin t’ia marrin fermerëve me çmimin e tvsh-së së përfshirë.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thanë se është ngritur një grup pune për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa Ministria e Financave, e cila është përgjegjëse për sistemin fiskal, pranon se është mbi një variant që do t’ua paraqesë fermerëve për të zgjidhur këtë problem.