Fatmir Xhafaj flet hapur/Nga largimi im nga posti mund të kenë patur gisht edhe nga mazhoranca

53

Fatmir Xhafaj ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, ka folur si kurrë më parë në lidhje me largimin e tij nga posti i ministrit, por edhe mbi mendimet që e mundojnë në lidhje me rrezikun potencial se mund të ketë patur gisht edhe nga elementë të mazhorancës për të kontribuar në lidhje me dorëheqjen e tij.

“Nuk dua ta besoj që gjërat kanë arritur deri këtu, por për hir të së vërtetës edhe e mendoj. Kam dëgjuar shumë në këtë aspekt nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ndoshta ka edhe të vërteta në këtë histori, por preferoj që helmin brenda familjes sime politike ta tres dhe jo ta shes”, ka thënë Xhafaj për gazetën Dita.

Më tej ai ka folur edhe për Partinë Socialiste duke u shprehur se ka persona që  nuk ndajnë vlera të përbashkëta, dhe se mirënjohjen e kanë thjeshtë slogane fjalimesh.

“Si në çdo bashkësi politike, edhe kjo ku unë bëj pjesë nuk është imune nga disa “vese” apo nga individë që nuk ndajnë qëllime e vlera të përbashkëta me këtë forcë politike dhe që solidaritetin apo mirënjohjen i kanë thjesht slogane fjalimesh. Nuk më vjen mirë për këtë, sigurisht, por ky është realiteti ku jetojmë dhe këtij realiteti unë jam përpjekur t’i qëndroj ashtu si meritohet. Me integritet dhe ndershmëri. Kush është aty brenda, e njeh shumë mirë këtë pozicion timin. Jam i lumtur që kam pasur mbështetjen e miqve të mi të shumtë brenda dhe jashtë PS-së, pa mbështetjen e të cilëve nuk do ta kisha të lehtë ta kaloja këtë situatë të vështirë personale dhe familjare. Situata të tilla të bëjnë të testosh veten, forcën dhe karakterin që ke, familjarët por edhe miqtë e tu. Test ky që siç e shoh dhe siç thonë, u kalua me sukses”,u shpreh ai.