Fasonet i kthehen rritjes pas gjashtë muajsh dhe i japin frymë eksporteve

34

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve iu rikthyen rritjes në muajin gusht. Të dhënat e publikuara të enjten nga Instat treguan se eksportet e fasoneve shënuan rritjen e parë me bazë vjetore që nga muaji shkurt.

Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me 16% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar dhe ndihmuan në ngushtimin e ritmeve të rënies së eksporteve shqiptare në tërësi. Për gushtin eksportet ishin sërish në rënie me 3.4%, por rënia ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me korrikun, kur shënonte nivelin 11.6%. Kjo e përmirësoi bilancin progresiv vjetor, duke e reduktuar rënien e eksporteve në 15.4%, nga 16.8% që kishte qenë për 7-mujorin. Sektori fason siguron rreth 39% të eksporteve totale të vendit, ndaj përmirësimet në këtë grup mund të jenë një sinjal pozitiv për pjesën e mbetur të vitit.

Veç kthimit të rritjes së grupit “Tekstile dhe këpucë”, përmirësimi i ecurisë së eksprteve edhe për gushtin u mbështet nga rritja e eksporteve të produkteve ushqimore, me 35% më shumë krahasuar me një vit më parë. “Ushqimeve dhe pije joalkoolike” ngelet grupi me performancën më të mirë në tregtinë e jashtme për vitin 2020 dhe i vetmi me rritje të eksporteve krahasuar me vitin e kaluar, në masën 8.3%.

Ndër grupet me peshë në eksporte, përmirësim shfaqi edhe ai që përfshin materialet e ndërtimit dhe metalet. Për gushtin, ai iu kthye rritjes, me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paralelisht, importuan regjistruan më shumë rënie gjatë muajit gusht, duke ndikuar më tej në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit. Rënia e importeve për gushtin shkoi në 7% me bazë vjetore, nga 5.6% që kishte qenë për korrikun. Në tetë muaj, importet e vendit kanë pësuar një rënie me 12.3% ndaj 8-mujorit 2019.

Gjatë gushtit, shumica e grupmallrave regjistruan rënie të importeve, përfshi këtu edhe grupin e ushqimeve. Përjashtim bënë importet e grupit “Tekstile dhe këpucë”, e lidhur edhe kjo me sektorin fason dhe regjimin e përpunimit aktiv.

Gjatë muajit gusht, deficit tregtar i vendit zbriti në 29 miliardë lekë, 9.2% më pak krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Për 8-mujorin deficiti ka rënë me 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka tregon se, deri tani, pandemia ka sjellë përmirësim në bilancin tregtar të vendit.

.monitor