Familja e Klodian Rashës i drejtohet popullit me letër:”Mos na shtoni dhembjen që kemi”

155

Katër ditë pas humbjes Klodianit, familja e tij ka bërë thirrje për qetësim të situatës. Familja ka shkruar një letër ku kërkohet që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.

Në letër përmendet gjithashtu se familja ndjen keqardhje për policin i cili është plagosur në sy.

“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”.

“Djalit tonë”, shkruhet më tej në letër, “ia mori jetën arma e një polici”.

Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.

“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”.

Familja po i lutet personave të përfshirë në protestë të qetësojnë situatën, pasi nuk do të donin që vdekja e Klodianit të shkaktonte një tjetër tragjedi.

“Por e drejta duhet të shkojë në vend, në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike. Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesin e tyre. Duam t’i falenderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madhe dhe ua shpërblefshim veç në gëzime. Të shkuara policit të plagosur dhe veç të mira pastë bashkë me prindërit dhe familjen e tij”.

“Ju lutem mos na e shtoni dhimbjen që kemi”, kështu përfundon letra e Familjes Rasha.