Ballina SLIDER 1 “Facebook” fshin 800 llogari iraniane, tentuan ndikimin në Shqipëri

“Facebook” fshin 800 llogari iraniane, tentuan ndikimin në Shqipëri

Gjigandi i rrjeteve sociale “Facebook” ka fshirë pothuajse 800 faqe, grupe dhe llogari të koordinuara, joautentike të drejtuara nga Irani, që ishin pjesë e një fushate manipulimi që vepronte në më shumë se 20 vende të botës duke përfshirë edhe Shqiperinë.

Kompania pohoi më 31 janar se bashkëpunonte ngushtë me Twitter për të zbuluar llogaritë, të cilat shfaqnin indikatorë me “qëllime keqdashëse”.

“Gjithsej 783 faqe, ishin pjesë e një fushate për të nxitur interesat iranianë jashtë vendit duke krijuar identitete të rreme si banorë të vendeve në fjalë,” – tha në një deklaratë, Nathaniel Gleicher, kreu i sigurisë kibernetike në Facebook.

“Facebook” bëri me dije gjithashtu se llogaritë e rreme ishin pjesë e një fushate të ndikimit që vepronte në Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Bahrein, Egjipt, Francë, Gjermani, Indi, Indonezi, Iran, Irak, Izrael, Libi, Meksikë, Marok, Pakistan, Katar, Arabi Saudite , Serbi, Afrika e Jugut, Spanjë, Sudan, Siri, Tunizi, Shtetet e Bashkuara dhe Jemen.