Ballina BOTA Evropa dhe SHBA kundër Kinës për rrjetin 5G

Evropa dhe SHBA kundër Kinës për rrjetin 5G

Ofruesit e shërbimit të telefonisë celulare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një skemë të re të testimit të sigurisë për të kontrolluar pajisjet 5G.

Aktualisht, për shkak edhe të çmimeve shumë më të leverdisshme, pajisjet që nevojiten për të vënë në punë rrjetin 5G prodhohen nga gjigandët kinezë Huawei dhe ZTE.

Por, fillimisht Shtetet e Bashkuara dhe më pas edhe Kanadaja dhe disa vende evropiane hodhën dyshime për sigurinë e pajisjeve të prodhuara në Kinë. Në fakt, vetë pajisjet janë mëse të mira, por ka dyshime të forta se, nëpërmjet tyre, autoritetet kineze mund të përgjojnë komunikimet elektronike dhe celulare në vendet ku ato janë instaluar.

Australia, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar kompaninë kineze Huawei që të furnizojë operatorët e tyre me pajisjet e nevojshme të rrjetit 5G. Të njëjtën pritet të bëjë së shpjeti edhe Britania e Madhe.

Për këtë arsye, operatorët e telefonisë celulare kanë propozuar adoptimin e një skeme të re për të testuar sigurinë e pajisjeve të reja për rrjetet 5G.