Ballina Aktualitet Euro shënon rekordin më të ulët që nga viti 2008

Euro shënon rekordin më të ulët që nga viti 2008

Monedha e përbashkët ka njohur vetëm rënie që nga fundi i muajit nëntor, duke arritur në ditën e sotme në 123.41 lekë, një rekord i ri i dekadës së fundit.

Në raport me një ditë më parë, euro përshpejtoi rënien, duke u nënçmuar më 0.21 lekë. Ky është një nivel i ri më i ulët i dekadës, që nga dhjetori 2008, kur euro këmbehej mesatarisht me 123.2 lekë.

Megjithatë, rënia më e fortë ishte përgjatë 2018-s, teksa euro ka shënuar rënien më fortë historike për një periudhë 12 mujore që nga viti 2003. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në qershor, arritën të stabilizonin euron vetëm për pak kohë në rreth 125 lekë, por, pasi Banka u tërhoq, monedha rifilloi rënien.

Ekspertët e tregut pohojnë se arsyet e kësaj rënieje, krahas faktorëve sezonale (në gusht dhe dhjetor, si rrjedhojë e shtimit të remitancave) lidhen me faktorët afatgjatë të ofertës në euro nga njëra anë dhe mungesës së qarkullimit të lekut nga ana tjetër. Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se paraja gjithsej në ekonomi, ndryshe agregati M3 shënoi rënie gjatë muajit tetor në raport me tetorin e vitit 2017, duke u tkurrur me 1.2 miliardë lekë ose -0.10%. Këto zhvillime në qarkullimin e parasë duken paska paradoksale po të marrin në konsideratë faktin se ekonomia e vendit është rritur me ritmet më të larta të kësaj dekade këtë vit, mbi 4% dhe si rrjedhojë duhej ti përgjigjej edhe një qarkullimin më i lartë i parasë.

Lekët në qarkullim po reduktohen, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në forcimin e pazakontë të monedhës vendase. Së fundmi, euro vendosi një rekord të ri, duke zbritur në 123.4 lekë sot. Krahas ofertës së shtuar të eurove në tregun e lirë (niveli i të cilave nuk matet dot nga Banka e Shqipërisë), qarkullimi i ngadaltë i lekut vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kryesore që po forcon monedhën vendase përtej pritshmërive.