Ballina Kuriozitete Estetikë edhe për kafshët shtëpiake

Estetikë edhe për kafshët shtëpiake

Në Shqipëri sot nuk është vetëm modë mbajtja e një kafshe shtëpiake, qen apo mace, por është një marredhënie sa e lashtë aq edhe e brishtë që mbart në vetvete një sfidë për njeriun.
Mbajtja pastër, trajtimi i qimes dhe kurimi i pamjes së jashtme të kafshës ka të bëj me estetikën, por edhe me shëndetin, gjë që në vendin tonë ka munguar ose në shumicën e rasteve kryhet nga veterineri apo persona të paçertifikuar për këtë proces.
Bruna Mazari, veterinere thotë se, “Në ditët e sotme është futur etika veterinare, komunikimi i veterinerit me klientin dhe stomatologjia. Në vendet e tjera një mjek nuk mund të bëjë estetistin, ashtu siҫ ndodh edhe në Shqipëri, por janë persona të specializuar.”

Por në Tiranë prej pak kohësh, është hapur studio e parë për estetikë kafshësh. Ilva, e cila është kthyer nga Franca pas vitesh të tëra pune si estetiste, e diplomuar për të ushtruar këtë profesion, tregon se sa i rëndësishëm dhe sa i shëndetshëm është për kafshët qethja, larja, pastrimi i qimes së vdekur, epilimi, në mënyrë profesionale e të përgjegjshme.

Dikur ky lloj procesi kryhej me anestezi, apo me metoda të cilat e keqtrajtonin kafshën ndërsa sot estetika është një kulturë e re që për të zotët e qenëve apo maceve duket se po pranohet natyrshëm.