Është zyrtare/Mbyllen lokalet me muzikë në orën 20:00, rishikohet buxheti dhe i hapet rrugë heqjes së tatim fitimit për bizneset e vogla

52

Parlamenti miratoi ditën e sotme mbylljen e klubeve të natës apo klubeve me muzikë pas orës 20:00.

Miratimi i aktit normativ u bë me 87 vota pro dhe 11 kundër.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se synimi i qeverisë nuk është të gjobisë, por të mbrojë shëndetin e qytetarëve!

“Është vënë re që jo të gjithë e kanë zbatuar urdhrin, duke u kthyer në vatra infeksioni. Detyrimi tani çon deri në pezullim aktiviteti 1 vjecar kur këto subjekte nuk i binden asnjë ligji. Të rinjtë apo frekuentuesit e këtyre vendeve janë etiketuar si vektori i shpërndarjes së infeksionit te moshat e tjera”, u shpreh Manastirliu n foltore.

Parlamenti miratoi edhe Aktin Normativ për rishikimin për herë të tretë të buxhetit të shtetit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Ky votim u bë me 86 vota pro, 8 kundër dhe 6 abstenim.

Po sot Kuvendi miratoi projektligjin që i hap rrugën heqjes së tatimit mbi fitimin të bizneseve me xhiro deri në 14 milionë lekë. Ndërkohë që është vendosur që pragu i ri i TVSH-së të jetë 8 milionë lekë nga 2 që është aktualisht.