Ballina LAJME Elbasan, djegia e mandateve, Balla: Duan të bllokojnë SPAK dhe BKH

Elbasan, djegia e mandateve, Balla: Duan të bllokojnë SPAK dhe BKH

Partia Socialiste ka mbledhur strukturat në Elbasan rreth katër muaj para zgjedhejve vendore të 30 qershorit.

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla ka folur gjatë takimit edhe për çështjen e mandateve të opozitës, duke e cilësuar si një përpjekje për të bllokuar Prokurorinë Speciale, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH.

Shqiptarët në 2017 na dhanë një mandat për të çuar përpara drejtësinë e re. “Bojkoti i radhës i PD dhe LSI i maskuar si djegie mandatesh është përpjekja e radhës për të bllokuar SPAK dhe BKH. Të enjten ne votojmë në seancë plenare strukturat e KLGJ dhe KLP. Ja pse PD dhe LSI po agravohen dhe po sulmojnë institucionet.

Është e rëndësishme të bëhet e qartë për liderat e opozitës që nëse ata vazhdojnë të përbuzin Parlamentin dhe mjetet demokratike, e vetmja gjë që do të arrijnë është distancimin e mëtejshëm të elektoratit prej tyre,” – deklaroi Balla.

Ai tha se kjo sjellje e opozitës është e papranueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk mbështesin as metodat e dhunshme dhe as këtë lloj retorike. “Debati politik duhet të ndodhë brenda institucioneve shtetërore, pikë së pari brenda Parlamentit. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë. Mandatet e deputeteve përfaqësojnë vullnetin e popullit. Djegia e tyre do të thotë injorimi i këtij vullneti,” – u shpreh më tej Balla.

Deputeti i PS Taulant Balla ka dhënë porositë për bazën socialiste të Elbasanit, duke kërkuar organizim për të arritur rezultate. Ai tha se diferenca politike mes PS dhe PD është e madhe.

“Kemi hyrë tashmë në fazën përgatitore të fushatës zgjedhore. Zgjedhjet vendore do të zhvillohen me 30 qershor 2019. Konkurrenti ynë në këto zgjedhje si gjithmonë është organizimi ynë elektoral. Sa më të organizuar ne, aq më i mirë rezultati. Diferenca jonë me kundërshtarët politike është e madhe. Ne kemi plot modele të qeverisjes vendore,” – deklaroi Balla.