Elbasan, arrestohet shoferi, shkaktoi aksidentin me dy viktima

54
Foto ilustruese

Një 25-vjeçar nga Elbasani është arrestuar, pasi akusohet si shkaktar i aksidentit të mbrëmshëm me dy të vdekur në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në afërsi të fshatit Shirgjan. Burimet policore bëjnë të ditur se në pranga u vu shtetasi me iniciale A. Sh. pasi, duke drejtuar automjetin e tipit Audi, është përplasur me një motoçikletë dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i motoçikletës, shtetasi Ervis Driza, 35 vjeç, dhe pasagjeri i motoçikletës, shtetasi Fatis Qisa, 56 vjeç, që të dy banues në fshatin Shirgjan.

Dyshohet se rol në aksident kanë luajtur edhe lagështia në rrugë dhe mungesa e ndriçimit.

Burimet nga Policia e Shtetit theksojnë se materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.