Ballina Aktualitet Ekzekutoi ish-policin/ Arrestohet miku i Shullazit! Gjergj Cukali u fundos nga ADN-ja...

Ekzekutoi ish-policin/ Arrestohet miku i Shullazit! Gjergj Cukali u fundos nga ADN-ja dhe gjurmët e gishtave

Një analizë ADN-je, disa gjurmë gishti dhe biseda telefonike të përgjuara nga policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë mundur të zbardhin të dyshuarin kryesor të vrasjes së ish-policit Arben Bilali. Sipas policisë së Tiranës ai është Gjergj Cukali, një emër mjaft i njohur për policinë kriminale, i cili ka shoqëri me Emiljano Shullazin, Arkimend Lushaj e persona të tjerë të botës së krimit. Ende nuk dihet se cili ka qënë motivi që Cukali ka qëlluar me breshëri automatiku drejt ish-policit Bilali në 30 janar 2019, teksa viktima ka zbritur nga një makinë dhe i është drejtuar derës së shtëpisë në zonën e Selitës. Grupi hetimor ka ngritur dyshime të forta se vrasja e Bilalit mund të jetë kryer me pagesë. Ndërkohë për këtë vrasje në 2 maj 2019 policia e Tiranës arrestoi Arben Tirana (Xhetani), banues në Shkozë, i proceduar disa herë për vjedhje. Momentalisht Xhetani ndodhet në masën e “arrestit në burg” të caktuar nga gjykata e Tiranës. Burime nga grupi hetimor thanë se identifikimi i tij është bërë pas analizimit të provave që u fiksuan në automjeti tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, që u gjet në afërsi të Mjull Bathores, pak orë pas ngjarjes.

Pas verifikimeve rezultoi se bëhej fjalë për të njëjtën makinë, me targa AA 757 RV, të vjedhura dy vite më parë nga një “Fiat Punto” në Vlorë, që ishte përdorur në krim. Ndërsa 28 ditë më pas policia arrestoi për këtë ngjarje Cukalin që njihet si person që drejton një grup të rinjsh në zonën e “Myslym Shyrit”, i dënuar për rrëmbimin e Fatjon Demrilikës, në vitin 2004 dhe dyshohet se ka gisht në zhdukjen e Klajdi Prengës. Por policia e Tiranës e ka skeduar atë edhe për “Falsifikim të pasaportave” dhe tregtimin e kokainës dhe heroinës në zona të ndryshme të Tiranës. Cukali është arrestuar disa herë dhe dënuar disa herë nga gjykata. Falë hetimeve 5 mujore policia dhe prokuroria e Tiranës kanë mundur të mbledhin prova të forta për Cukalin në lidhje me vrasjen e Arben Bilalit.

Ai është arrestuar në orët e para të mëngjesit. Herën e fundit që Cukali ka pasur probleme me drejtësinë është në vitin 2016, ku i forti i rrugës “Myslym Shyri” është marrë i pandehur së bashku me 5 persona të tjerë, si person që drejtonte një grup që shpërndante kokainë në zona të ndryshme të Tiranës. Hetimet e prokurorisë, kanë zbuluar se Cukali ishte drejtuesi i këtij grupi,ndërkohë që gjatë hetimeve ai ka rënë në dijeni të ndjekjes nga policia, dhe për pasojë i ka kërkuar një shoku të tij, që ti bëjë një shërbim. Cukali ka marrë në kontakt me shtetasin Artur Tarja, të cilit i kërkon që të shkojë deri tek kryqëzimi i “21 Dhjetori”, për të takuar dikë në vendin ku bëhen “Çelësat”. Në fakt Tarja ka zhvilluar një takim me një person të panjohur pikërisht në këtë vend, nga ku ka marrë informacion se Cukali dhe grupi i tij ishte në mbikëqyrje të plotë dhe se ai do bënte diçka. Mirëpo Cukali ka kërkuar të dinte se sa ishte”… kafja e kësaj pune…”, por Tarja nga ana tjetër i ka sugjeruar se personi që kishte takuar tek “Çelësat”, do i kthente një përgjigje në një moment të dytë. Më tej Tarja, i thotë Cukalit që të mos flasë me askënd dhe duhet të qëndrojë nja 10 ditë i izoluar duke mos dalë në rrugë. Kjo bisedë tregon se ata ishin vënë në dijeni të një arrestimi të mundshëm ndaj duhet të qëndronin në heshtje. Mirëpo frika e policisë dhe prokurorisë se Cukali mund të zhdukej duke ju shmangur policisë, ka sjellë reagimin e menjëhershëm duke organizuar në vitin 2016 operaciopnin “Tangent” dhe arrestuar Cukalin dhe bashkëpuntorët e tij, mes të cilëve dhe një femër që ishte financierja e grupit.

Biseda për një borxh financiar

Nga interceptimet telefonike u konstatua se shtetasi Gentian Balliu lëndën narkotike të llojit kokainë e siguron tek shtetasi Gjergji Cukali. Në një bisede të 22 majit 2016 me numrin telefonik 069340XXX në përdoim nga shtetasi Gjergji Cukali i dërgon mesazh numrit telefonik 06952XXX në përdorim nga shtetasi Gentjan Balliu me përmbajtje:“…Me kishe 2700, me dhe një pa dhjet mijë lekë dhe ke dhe 1700 tani dhe atë 230 të ati shokut ok…”. Po nga interceptimet telefonike rezulton se shtetasi Jurgen Hoxha, tashmë i arrestuar për shitjen e lëndës narkotike të llojit kokainë bashkëpunon me një person i identifikuar nga përgjimi me emrin Saimir. Ndërsa, shtetasi Kataldo Lezhja për shitjen e lëndës narkotike bashkëpunon ngushtë me një person të cilin e thërrasin me pseudonimin “Çerri” dhe “Rike”.Gjithashtu nga interceptimet telefonike rezulton se shtetasi Gjergji Cukali ka përdorur për kryerjen e veprimeve në aktivitetin e tij kriminal shtetasin Artur Tarja me numër telefoni 06998XXXX i cili mban lidhje dhe me shtetasin Gentjan Balliu, ku në disa biseda telefonike i kërkon lekët që ky i fundit i ka borxh shtetasit Gjergji Cukali me pseudonimin “LASHI”. Si rezultat i ketyre përgjimeve dhe dokumentuar me anë të vëzhgimeve, në datë 27 prill 2016 u bë kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasve Agron Mulolli dhe Jeta Blakcorri me sasinë prej 25.8 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të cilët e blenë tek shtetasi Gergji Cukali, pasi u takuan me këtë shtetas tek karburant “Elda” ne Laprakë, ku ndodhej shtetasi Agron Mulolli me mjetin BMË ngjyre gri me targe KS01656FL dhe aty erdhi shtetasi Gjergji Cukali me motorr te zi “T Max” me targe AN090.

Droga në mbathje

Në datë 4 qershor 2016 u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasve Argers Sedo dhe Grigori Çina me sasinë prej 30.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të cilët e blenë tek shtetasi Gjergji Cukali, pasi u takuan brenda ne mjetin e këtij të fundit “Citroen” me targë AA260BT në rrugën “Budi” në afërsi të “Big Market”. Konkretisht, shtetasit Argers Sedo ju gjet në të brendshmet e tij një paketim me lëndë pluhuri, qarkuar me natërban ngjyre kafe me mbishkim me ngjyrë të zezë “25”. Ndërkohë në datën 23 qershor 2016 u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit Maringlen Jazaj me sasinë prej 0.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të cilën e kishte blerë tek shtetasi Jurgen Hoxha, si dhe arrestimi i shtetasit Jurgen Hoxha me sasinë prej 14.4 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të cilën e kishin blerë tek shtetasi Hamdi Tallushi. Po në datën 23 qershor 2016 u kap në flagrancë dhe u bë arrestimi i shtetasve Hamdi Tallushi dhe Andi Tallushi me sasinë prej 116 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe 2 gramë bime e dyshuar Cannbis Sattiva.

Cukali pikas përgjimin dhe ndjekjen e policë

Për shkak të kësaj veprimtarie, shtetasi Gjergji Cukali, në datën 29 qershor 2016 në orët e vona të mbrëmjes ka dyshuar se mund të jetë në përgjim telefonik, pas telefonatës dhe takimit me shtetasin e njohur me emrin Rrem Kallushi. Menjëherë pas takimit ka fikur numrin e telefonit 069 34XXXX dhe ju ka dërguar disa sms disa lidhjeve të tij shoqërore me numrin e telefonit tjetër 069 44XXXX ku ju thotë se “…Lashi jam, ky është numri im tani…”.Në datë 2 korrik 2016 shtetasi Gjergji Cukali i ka telefonuar shtetasit Artur Tarja,bisedë me përmbajtje: “…Ku je të takosh njërin për punën time…., ndërkohë që Tarja ia kthen   “…po ha bukë…”. Më pas Cukali i thotë sërisht “…mirë mbaro bukën shpejtë dhe ik telefono këtë numër, dhe i jep një numër telefoni) dhe do të takohesh ku bëhen çelsat tek 21-shi Ok…”. Pas 10 minutash shtetasi Artur Tarja telefonon subjektin Gjergji Cukali bisedë me përmbajtje:“…Ka folë dhe “OK” do ja bëj…. po do i thotë ky tani sa është kafja….. do na kthej përgjigje ky… dhe mos fol me asnjë fare dhe mos dil për nja 10 ditë”. Pas këtyre bisedave shtetasi Gjergji Cukali ka vendosur numër të ri telefonik që është 069 53 XXXX. Duke qenë se ky shtetas dyshohet për këtë vepër penale, ai u ndalua në datën 11 korrik 2016, duke menduar rrezikun e ikjes së këtij shtetasi dhe atë të ardhjes në dijeni të procedimit penal. Pas ndalimit në banesën e shtetasit Gjergji Cukali, u gjetën sende që mund të kenë lidhje me veprën penale, si telefona celulare dhe një peshore elektronike që dyshohet të ketë lidhje me peshimin e lëndës narkotike. Gjithashtu u gjetën edhe dokumente me fotografinë e shtetasit Gjergji Cukali, por me gjeneralitete të një shtetasi tjetër.

Në datën 1 korrik 2016, në banesën e të pandehurit Gjergji Cukali u gjeten sende që mund te kenë lidhje me vepren penale, si telefona celulare dhe një peshore elektronike që dyshohej te kishte lidhje me peshimin e lendes narkotike.

Cukali me pasaportë me emrin “Ergi Hoxha”

Gjithashtu, në banesën e të pandehurit Gjergji Cukali u gjetën një pasaportë biometrike, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi me nr. TR025327/I91209052K, të treja me të dhënat e shtetasit të quajtur Ergi Hoxha dhe me fotografinë e të pandehurit Gjergji Cukali. Nga akti i ekspertimit teknik për këto dokumente, u provua se leja e drejtimit dhe karta e identitetit janë tërësisht të falsifikuara, ndërsa pasaporta biometrike është e falsifkuar, duke i ndryshuar fotografinë dhe duke i hequr fletën origjinale dhe zëvendësimin e tyre me një fletë të një pasaportë tjetër e më pas qepjen e fletëve të bllokut të pasaportës. Edhe vulat e vendosura e këtë pasaportë të PKK Kakavijë janë të falsifikuara.

Arrestimi i Jurgen Hoxhës

Në datë 23 qershor 2016 u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i shtetasit Maringlen Jazaj me sasinë prej 0.4 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë, provuar nga akti i ekspertimit kimik, të cilën e kishte blerë tek i pandehuri Jurgen Hoxha, si dhe arrestimi i të pandehurit Jurgen Hoxha me sasinë në total prej 14.4 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë, të cilën e kishte marrë nga i pandehuri Hamdi Tallushi. I pandehuri Jurgen Hoxha u kap ne ambjentet e bar kafe “Soba”, ku në xhepin e pantallonave te shkurtera të tij u gjet nje qese ngjyre e bardhë e mbyllur me djegie, ku brenda saj kishte pluhur me ngjyrë të bardhë e llojit të lëndës narkotike kokainë. Ndërsa, në banesën e të pandehurit Jurgen Hoxha janë sekuestruar 3 doza të tjera me pluhur ngjyrë të bardhë e llojit të lëndës narkotike kokainë të futura në një objekt metalik në formë cilindri, një kartopicetë letre e mbështjellë, ku brenda saj ndodhej një qese transparente boshe dhe një qese tjetër e pa mbyllur me ngjyre te bardhë dhe blu ne vishnje, ku brenda saj kishte pluhur te bardhe e llojit kokainë.

Pasaporta

Në banesën e të pandehurit Gjergji Cukali u gjetën një pasaportë biometrike, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi me nr. TR025327/I91209052K, të treja me të dhënat e shtetasit të quajtur Ergi Hoxha dhe me fotografinë e të pandehurit Gjergji Cukali.

Shpërndarësit e drogës

1 Gjergji Cukali

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.

“Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve apo I vizave”

“Falsifikimi i dokumenteve”

2 Gentian Balliu

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim

3 Artur Tarja

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim

4 Krisald Kundraxhi

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim

5 Vjollca Gjoka

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim

6 Armando Gjoka

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim