Ballina Aktualitet Ekskluzive/ Krerëve të opozitës u hiqen pasaportat diplomatike

Ekskluzive/ Krerëve të opozitës u hiqen pasaportat diplomatike

Krerët e opozitës jo parlamentare, me përjashtim të Monika Kryemadhi, duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, për ndryshe do të ndalohet në pikat kufitare nga policia. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PDK Nard Ndoka, kreu i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule nuk kanë të drejtë më të pajisen me pasaporta diplomatike. Kështu parashikon vendimi i qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019 për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 14 qershor, duke hyrë në fuqi. Vendimi ndryshon kategoritë personave që kanë të drejtë të pajisen dhe të mbajnë pasaportë diplomatike.

Media ka identifikuar të gjitha kategoritë e funksionarëve, politikanëve dhe familjarëve të tyre, të cilëve u hiqet e drejta për t’u pajisur me pasaportë diplomatike, e drejtë e cila ishte parashikuar në vendimin Nr. 335, datë 2.9.1997, i ndryshuar 18 herë deri në vitin 2009. Nga lista e re që ka hyrë në fuqi janë hequr edhe kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend apo në qeveri. Vendimi i 1997 parashikonte që pajisen me pasaporta diplomatike edhe “kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Popullor ose në Këshillin e Ministrave”.

Në vendimin e ri është hequr kjo kategori, ndonëse krerët e opozitës e humbën këtë privilegj që kur ‘dogjën’ mandatet, duke i kthyer partitë e tyre politike në jo parlamentare. Gjithashtu me vendimin e ri janë hequr edhe ish-ministrat, duke bërë që Lulzim Basha të humbasë këtë privilegj. Basha e humbet këtë privilegj edhe si ish-ministër, por edhe si kryetar partie. Një privilegj të tillë e humbet edhe Ditmir Bushati dhe të gjithë ish-ministret e Jashtëm. Pasaporta diplomatike u hiqet edhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bashkëshortëve të ministrave, bashkëshorteve të zëvendëskryetarëve të Kuvendit, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës së Lartë, bashkëshortes/it së Prokurorit të përgjithshëm, bashkëshortes së kryetarit të KLSH etj.

Shpëtojnë Berisha dhe Kryemadhi
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike sipas vendimit të fundit të qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019. Berisha pajiset për shkak të statusit të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit. Sipas vendimit të ri, ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit mund të pajisen me pasaporta diplomatike. Në listën e re, përpos kategorive të tjera, është përfshirë bashkëshortja e Presidentit, duke bërë që këtë privilegj ta gëzojë Monika Kryemadhi. Kjo e fundit e humbet këtë privilegj si kryetare e LSI, por përfiton për shkak se është bashkëshortja e Ilir Metës. Sipas vendimit, mund të pajisjen me pasaportë diplomatike bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.

Kategoritë e zyrtarëve që u hiqen pasaportat e diplomatike

Kryetarëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvend ose në Këshillin e Ministrave

Ish-ministrave të Punëve të Jashtme

Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë

Inspektorit të Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive

Zëvendëskryetarëve të Kuvendit

Bashkëshortëve të anëtarëve të Qeverisë;

Bashkëshorteve të zëvendëskryetarëve të Kuvendit

Bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës së Lartë

Bashkëshortes së Prokurorit të përgjithshëm

Bashkëshortes së kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Bashkëshortes së Sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë

Bashkëshortja e Avokatit të Popullit;

Bashkëshorti/bashkëshortja e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit

Sekretarit të përgjithshëm, në ministri, në Gjykatën Kushtetuese, në Avokatin e Popullit, në Kontrollin e lartë të Shtetit dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve;

Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë;

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare;

Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane;

Drejtorëve të drejtorive, përgjegjësve të sektorëve dhe specialistëve në DSIK.

Ndihmësi i Presidentit të Republikës

Kancelari i Gjykatës së Lartë

Drejtori i Drejtorisë së Protokollit të Presidentit të Republikës

Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale

Kryetari i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave

Anëtarët e Komisionit të Shërbimit Civil

Ndihmësi i kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit

Koordinatorët e Departamentit të Koordinimit në aparatin e Këshillit të Ministrave

Kryetari i Grupit Mbikëqyrës për kontrollin e shoqërive huamarrëse;

Shefave të kabinetit të ministrave

Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

Kryetarit të Akademisë së Shkencave

Funksionarët që do të pajisen me pasaporta diplomatike

1. Presidenti;

2. Ish-Presidenti;

3. Kryetari Kuvendit;

4. Ish-Kryetari i Kuvendit;

5. Kryeministri;

6. Ish-Kryeministri;

7. Bashkëshortja/i e/i dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të: a) Presidentit; b) Kryetarit të Kuvendit; c) Kryeministrit.

8. Bashkëshortja/i e/i deputetit;

9. Zëvendëskryeministri;

10. Anëtarët e Këshillit të Ministrave;

11. Deputeti;

12. Zëvendësministri;

13. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese;

14. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë;

15. Drejtuesi dhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ);

16. Drejtuesi dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP);

17. Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi;

18. Inspektori i Lartë i Drejtësisë;

19. Komisionerët Publikë;

20. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit;

21. Kryetari dhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit;

22. Avokati i Popullit;

23. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit;

24. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ);

25. Drejtuesi dhe anëtarët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK);

26. Prokurori i Përgjithshëm;

27. Sekretari i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit, Kuvend, Kryeministri;

28. Drejtori i kabinetit në institucionin e Presidentit, Kuvend, Kryeministri, ministrinë përgjegjëse për Punët e Jashtme;

29. Këshilltarët në kabinetin e institucionit të Presidentit, Kuvend, Kryeministri, në rastet kur janë të ngarkuar me çështje diplomatike dhe protokollare, jo më shumë se tre këshilltarë për secilin institucion;

30. Këshilltarët e ministrit përgjegjës për punët e jashtme.

31. Kryetari dhe nënkryetari i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH);

32. Drejtori i (DSIK);

33. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

34. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë;

35. Personeli diplomatik i Shërbimit të Jashtëm dhe familjarët e tyre;

36. Funksionarët ndërkombëtarë që kanë shtetësi shqiptare;

37. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit;

38. Oficeri i Ministrisë së Mbrojtjes;

39. Oficer kontakti pranë ministrive homologe të shteteve të tjera;

40. Korrieri diplomatik;

41. Komandanti i Gardës së Republikës;

42. Trup-rojë për sigurimin e:a) Presidentit;b) Kryetarit të Kuvendit;c) Kryeministrit.