Ballina Ekonomi / Biznes Ekonomi, vijon dobësimi i ndjeshëm i Euros ndaj Lekut

Ekonomi, vijon dobësimi i ndjeshëm i Euros ndaj Lekut

Monedha evropiane ka arritur nivelin më të ulët që prej qershorit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro shkëmbehet aktualisht me 124,48 lekë, edhe pse është një periudhë kur në fakt parashikohej forcimi i euros ndaj lekut. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë e ka të pamundur të marrë vendime madhore për të ndërhyrë në treg për shkak të mbarimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Edhe gjatë këtij muaji, monedha shqiptare ka vijuar që të fitojë ndjeshëm pikë ndaj monedhës evropiane. Edhe pse ekspertët parashikonin që kjo periudhë do të sillte një forcim të monedhës evropiane, për shkak të përfundimit të sezonit turistik dhe largimit të emigrantëve, në të vërtetë ndodh krejt e kundërta.

Për të stabilizuar kursin e këmbimit, në muajin qershor Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg dhe bleu euro, duke e rikthyer monedhën evropiane në vlerat e 130 lekëve. Por, mesa duket tashmë është pranuar që euro do vijojë të qëndrojë në kuota të dobëta kundrejt lekut.