Ballina Aktualitet Ekonomi, tregtia Shqipëri-Kosovë me shumë probleme dhe pengesa

Ekonomi, tregtia Shqipëri-Kosovë me shumë probleme dhe pengesa

Pavarësisht rritjes së eksporteve midis dy vendeve muajt e fundit, biznesi është ankuar për barrierat tregtare që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kanë organizuar konferencën e përbashkët “Mundësitë dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”, ku kanë diskutuar problemet, pengesat dhe burokracitë që ekzistojnë në tregtinë mes dy vendeve.

Në takim u theksua se Shqipëria renditej e dyta pas Serbisë për tarifat dhe burokracitë në doganë. Ky problem u pranua edhe nga zyrtarët e lartë, të cilët premtuan të kenë si objektiv zgjidhjen e pengesave. Ministrja e ekonomisë dhe financave Anila Denaj theksoi se tashmë në objektiv mbetet lehtësimi i tregtisë, ndërsa premtoi se mund të rishikohet tarifa e skanimit të ngarkesave në dogana.

Megjithatë, për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, mbledhjet e të dyja qeverive nuk kanë sjellë asgjë konkrete. “A jemi në rrugën e duhur apo jemi në kuadër të organizimit të mbledhjeve, të bërjes së deklaratave dhe asgjë më shumë përtej ekraneve të mediave apo edhe tryezave që mblidhen,” – ka deklaruar Jaka.

Për ekonominë tonë, tregtia me Kosovën mbete tashmë jetike, pasi eksportet me të gjitha vendet e tjera kanë shënuar rënie.