Ekonomi, raporti i KLSH: Periudha janar-shtator, 268 milion euro dëm në buxhetin e shtetit

45

Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit për periudhën janar-shtator është 268 milion euro ose 33 miliardë lekë, ndërkohë që shkeljet më të mëdha janë vërejtur në fushën e dhënies me qira, privatizimit dhe koncesioneve. Nga ky zë, dëmi në buxhet rezulton të jetë 20,6 miliardë lekë, i ndjekur nga prokurimet publike dhe të ardhurat nga tatimet e doganat.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka deklaruar se ka nisur përgatitjen e 23 kallëzimeve penale për zyrtarë të niveleve të ndryshme.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar 122 auditime në institucionet e vendit. Auditimet janë shtrirë në institucione qendrore dhe njësi të varësisë, si ministritë, drejtoritë e përgjithshme, degët e Doganave Shqiptare dhe shoqëritë aksionere me kapital shtetëror apo njësi të vetëqeverisjes vendore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se mbetet shumë për të bërë për të krijuar kulturën e përgjegjshmërisë menaxheriale dhe për të garantuar një sistem menaxhimi financiar dhe kontrolli sa më efektiv.