Ballina Aktualitet Ekonomi, raporti i INSTAT: Çmimet e perimeve rriten me 36,6 përqind

Ekonomi, raporti i INSTAT: Çmimet e perimeve rriten me 36,6 përqind

Çmimet e prodhimeve të stinës, kryesisht perimet dhe zarzavatet, pësuan rritje jo të zakontë gjatë muajit janar. Instituti i Statistikave raporton se, çmimet në grupin e zarzavateve u rritën me 36,6 përqind, duke shënuar nivelin më të lartë që nga muaji maj i vitit 2010, ku ndryshimi i çmimit për shkak edhe të krizës globale të asaj kohe arriti në 56,6 përqind.

Ekspertët shpjegojnë se rritja e çmimeve në muajin janar të këtij viti, ndryshe nga viti 2010 që ishte si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm, erdhi si pasojë e goditjeve të brendshme nga oferta, pasi prodhimi vendas këtë sezon ishte mjaft i kufizuar. Ndryshe nga herët e tjera, kur prodhimet bujqësore në vend diktoheshin nga kushtet atmosferike, përmbytjet ose ngricat, këtë vit shkak u bë reduktimi i prodhimit nga fermat vendase.