Ballina Aktualitet Ekonomi, raporti i Bankës së Shqipërisë: Borxhi i qeverisë ndaj biznesit arrin...

Ekonomi, raporti i Bankës së Shqipërisë: Borxhi i qeverisë ndaj biznesit arrin 1,5 miliardë euro

Në fund të vitit 2017, për herë të parë së paku nga viti 2013, qeveria e Shqipërisë ka detyrime ndaj të tretëve më shumë se sa të tretët i kanë asaj. Sipas përllogaritjeve zyrtare nga Banka e Shqipërisë, qeveria ka detyrime ndaj të tretëve të raportuara nën zërin llogari të pagueshme me një vlerë 190 miliardë lekë ose 1,5 miliardë euro, në fund të vitit 2017.

Detyrimet përfshijnë faturat e papaguara në kohë ndaj sektorit të biznesit, individëve etj. Këto detyrime nuk përfshijnë llogaritë e borxhit publik. Detyrimet e qeverisë ranë me 12 miliardë lekë gjatë vitit 2017, teksa u rriten me rreth 20 miliardë lekë në raport me vitin 2013. Ndërsa llogaritë e arkëtueshme ishin rreth 171 miliardë lekë ose 1,3 miliardë euro në fund të vitit 2017. Kjo shumë përfshin pretendimet e autoriteteve publike ndaj agjentëve ekonomikë, të tilla si komisione, taksa dhe sigurimet shoqërore, që për vitin 2017 vlerësohen në 172 miliardë lekë, nga 224 miliardë lekë në fund të 2016.

Në vitin 2017, pozicioni financiar neto i qeverisë së përgjithshme, në raport me PBB, llogaritet në nivelin -46,2 përqind, nga rreth –44 përqind një vit më parë.

(marrë me shkurtime nga revista Monitor)