Ballina Aktualitet Ekonomi, raporti i Bankës së Shqipërisë: Biznesi i vogël në vështirësi

Ekonomi, raporti i Bankës së Shqipërisë: Biznesi i vogël në vështirësi

Edhe pse përbën rreth 90 përqind të numrit total të subjekteve tregtare në vend, biznesi i vogël po përballet me një sërë problemesh. Banka e Shqipërisë raporton se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018 vlerësoi treguesit e konkurrencës, ecurinë e shitjeve dhe zgjerimin e aktivitetit. Raporti dëshmon se, për të përballuar situatën, bizneset kanë parë si zgjidhje huatë bankare, që kanë arritur në 10,7 përqind të ndërmarrjeve të vogla.

Gjatë periudhës së marrë në analizë, bizneset raportojnë se problematikat lidhur me aksesin në financim dhe kostot e financimit vlerësohen në rritje nga ndërmarrjet e mesme, por në zbutje nga ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha.

Ecuria e aktivitetit të ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha rezulton të jetë më pozitive, pasi shitjet vlerësohen në rritje gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2018. Sa i përket pritshmërive, subjektet shprehen me optimizëm lidhur me shitjet, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë.

Por, në përgjithësi, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, shënohet rënie, veçanërisht në rastin e ndërmarrjeve të vogla. Futja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH gjatë vitit të kaluar është vlerësuar me rritje kostosh për bizneset. Një vendim i tillë u kundërshtua edhe nga vetë bizneset, por, pavarësisht kësaj, rreth 12 mijë biznese u përfshinë në skemën e TVSH.