Ballina Aktualitet Ekonomi, kompania bullgare Vivacom merr kontrollin e Telekom Albania

Ekonomi, kompania bullgare Vivacom merr kontrollin e Telekom Albania

Pronësia e kompanisë shqiptare të telefonisë të lëvizshme Telekom Albania është transferuar plotësisht tek pronarët e rinj, kompania bullgare e telekomunikacionit Vivacom, e cila, ligjërisht, është në pronësi të biznesmenit bullgar Spas Rusev.

Telekom Albania më herët njihej si Albanian Mobile Communications, kompania e parë e telefonisë së lëvizshme e themeluar në vendin tonë në vitin 1995 dhe, në atë kohë, në pronësi të plotë të shtetit. Në vitin 2000, kompania greke e telefonisë së lëvizshme Cosmote mori kontrollin e 85 përqind të aksioneve të Albanian Mobile Communications për një shumë prej rreth 85 milionë dollarë.

Në vitin 2008, gjigandi gjerman Deutsche Telekom merr drejtimin e kompanisë greke të telekomunikacionit OTE, duke marrë kështu nën kontroll edhe kompaninë Cosmote. Rrjedhimisht, rreth vitit 2015, imazhi i Albanian Mobile Communications ndryshoi, duke u shndërruar në Telekom Albania.

Tratativat për shitjen e Telekom Albania tek kompania bullgare Vivacom, për një shumë prej 50 milionë euro, nisën që vitin e kaluar dhe, pas marrjes së miratimeve edhe nga autoritetet tona, ajo tashmë është finalizuar.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë se kur do të ndryshojë imazhi i Telekom Albania, me qëllim përfaqësimin e imazhit të pronarëve të rinj.

Kompania bullgare e telekomunikacionit Vivacom është themeluar që në vitin 1992 nga vetë shteti bullgar dhe ka qenë në pronësi të plotë të tij, ndonëse në vitin e themelimit njihej si Bulgarian Telecommunications Co. Në vitin 2012, kompania bullgare Viva Telecom Bulgaria, e themeluar nga biznesmeni bullgar Spas Rusev, mori një kredi nga banka shtetërore ruse VTB Capital dhe bleu 93,99 përqind të aksioneve të Bulgarian Telecommunications Co.

Vivacom është aktualisht operatori i tretë më i madh në Bullgari në fushën e ofrimit të shërbimit të telefonisë së lëvizshme dhe, vitin e kaluar, regjistroi një xhiro vjetore prej rreth 440 milionë euro.