Ballina Aktualitet Ekonomi, BERZH dhe BE akordojnë 100 milionë euro për turizmin

Ekonomi, BERZH dhe BE akordojnë 100 milionë euro për turizmin

Në prezantimin e projektit të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me 100 milion euro në mbështetje të programeve të turizmit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha se këto dy organizma “kanë një kontribut të madh në vendin tonë.”

“Nuk ka diskutim që Shqipëria nuk do ishte i njëjti vend pa mbështetjen e BE dhe BERZH gjatë më shumë se 25 viteve të fundit, – ka thënë kryeministri Rama. – Janë me dhjetra e dhjetra projektet që janë mundësuar në vendin tonë falë mbështetjes financiare të BERZH, ashtu sikundër është më se e vërtetë që edhe projekti që lançojmë sot si një projekt i përbashkët mes BE dhe BERZH përbën jo vetëm shifër 100 mln euro por, mbi të gjitha, në përmbajtjen e vet një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në vendin tonë të këtyre dy forcave.”

Kryeministri tha se vendi ynë e ka dyfishuar numrin e turistëve në pesë vjet dhe se ky numër është rritur edhe në raport me një vit më parë. “Duke parë sot shifrat e prillit në krahasim me një vit më parë, kemi përsëri një rritje, – ka nënvizuar kryeministri. – Duke krahasuar dhe katër muajt e këtij viti me katër muajt e parë të vitit të kaluar, kemi përsëri një rritje. Sa më shumë turistë, aq më shumë njerëz do të kemi jashtë vendit tonë që do të thonë të vërtetën për Shqipërinë, e cila ka vuajtur dhe vuan nga perceptimet e krijuara pa e njohur atë nga afër.”