Ballina Ekonomi / Biznes Ekonomi, bashkimi OSHEE-KESH, qeveria tërhiqet nga presioni i ndërkombëtarëve

Ekonomi, bashkimi OSHEE-KESH, qeveria tërhiqet nga presioni i ndërkombëtarëve

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është tërhequr nga ideja e bashkimit të dy kompanive shtetërore, të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ky vendim duket se ka ardhur pas presionit të ndërkombëtarëve.

Përmes bashkimit të dy kompanive, që të dyja me kapital tërësisht shtetëror, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synonte uljen e burokracive dhe të kostove financiare në ekonomi.

Por, ndarja e tyre, në vitin 2007, u bë pikërisht nën kujdesin e partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim përputhjen me kushtet e integrimit në tregjet e Bashkimit Evropian. Prodhimi i energjisë elektrike, që sot mbulohet nga KESH, duhet të ishte një aktivitet i veçantë nga shpërndarja dhe shitja me pakicë e energjisë elektrike, që tani mbulohet nga OSHEE.

Rrjedhimisht, ideja e bashkimit shkon në kundërshtim me iniciativat e hapjes së tregjeve, dhe partnerët ndërkombëtarë e kundërshtuan atë.