Ballina Aktualitet Ekonomi, Banka e Shqipërisë: Tkurren investimet, ngadalësohet rritja ekonomike

Ekonomi, Banka e Shqipërisë: Tkurren investimet, ngadalësohet rritja ekonomike

Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më të vogël gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë ka argumentuar se të gjitha të dhënat tregojnë për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend. Disa prej shkaqeve kryesore janë ulja e prodhimit të energjisë elektrike, ulja e investimeve të huasë dhe rënia e eksporteve.

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë, Banka e Shqipërisë ka konstatuar se të gjithë treguesit sinjalizojnë për ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Edhe ekspertë të institucioneve ndërkombëtare financiare kanë theksuar se kriza e prodhimit të energjisë ndikon direkt në ekonominë shqiptare, duke ngadalësuar rritjen, e cila vitin e kaluar arriti në 4,3 përqind.

Edhe niveli i inflacionit ka qenë më i ulët në tre muajt e parë, duke kapur nivelin e 1,6 përqind, ndërkohë që Banka e Shqipërisë parashikon kthimin e tij në objektiv në vitin 2021. Përsa i përket ecurisë së kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë parashikon një stabilizim të tij në tremujorin e dytë të vitit.