Ballina Aktualitet Ekonomi, Banka e Shqipërisë bën apel për kreditimin e sektorëve potencialë

Ekonomi, Banka e Shqipërisë bën apel për kreditimin e sektorëve potencialë

Banka e Shqipërisë ka thirrur në një takim bankat e nivelit të dytë, të cilave i ka kërkuar të kreditojnë më shumë ekonominë. Guvernatori Gent Sejko apeloi që t’i kushtohet vëmendje sektorëve të cilët kanë potencial të lartë të kthimit të kredive. Nga ana tjetër, kreu i Shoqatës së Bankave, Silvio Pedrazzi, u shpreh se bizneset duhet të paraqesin projekte më cilësore.

Edhe pse gjatë vitit 2018 sektori bankar ka dhënë 1,1 miliardë euro kredi të re, përsëri kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kërkoi më shumë vëmendje për financimin e ekonomisë. “Ekonomia shqiptare ofron prospekte pozitive biznesi, të shoqëruara me potencial të lartë kreditimi dhe një rrezik të reduktuar kredie, – tha guvernatori Sejko. – Ky realitet dikton nevojën dhe mundësinë e një përqasjeje më kurajoze ndaj kreditimit.”