Edi Rama shpall një krizë të re: Do vuajmë për energji elektrike

53

Kryeministri Edi Rama shpalli sot atë që ai e quajti emergjencë e krizës së energjisë elektrike duke konfirmuar se do të rriten ndjeshëm çmimet për familjet dhe bizneset.

Rama doli para mediave pasi tha se mbajti një mbledhje qeverie disa minutëshe dhe tha se nuk pranon propozimet e opozitës për të frenuar ndikimin e rritjes së çmimeve te shqiptarët.

Rama tha se do të ketë një plan për të mbrojtur disa nga të varfrit dhe pensionistët kryefamiljarë por shtoi se këtë plan do ta njoftojë nesër.

Kryeministri tha se piku i krizës pritet të jetë në mesin e vitit të ardhshëm, ndërsa shtoi se edhe pas kësaj periudhe çmimi nuk pritet të kthehet aty ku është aktualisht.

“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit për të marrë një vendim, për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike.

Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative.

Sot, me këtë vendim i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë dhe planin do ta bëjmë publik nesër”.

Rama tha se kriza që ai flet është e njëjtë me krizën pandemike.

Ai pranoi në konferencën për shtyp se Shqipëria shet energji elektrike dhe nga ana tjetër importon kur reshjet janë më të pakta.

Kryeministri nuk dha ndonjë alternativë praktike të përballimit të një krize të mundshme, ndonëse shumë shtete të tjera po përfitojnë përmes Shqipërisë pasi ajo pranoi të fusë rrjetin e gazsjellësit TAP nga i cili nuk përfiton asnjë familje dhe biznes shqiptar.

Në Shqipëri, energjia elektrike përdoret për çdo gjë, ngrohje, ftohje, gatim, etj. Evropa përdor gazin për të gjitha këto.

Rama nuk foli as për liberalizimin e shpërndarjes së energjisë elektrike ashtu si çdo vend tjetër evropian ku familjet dhe bizneset e zgjedhin vetë se tek cili operator duan ta blejnë energjinë duke përfituar nga konkurrenca, ofertat dhe çmimet më të lira.

Është e paqartë përse OSHEE mban ende monopolin e shitjes së energjisë për shqiptarët.