Ballina OPINION Edhe PS duhet të mendojë për një lider alternativ

Edhe PS duhet të mendojë për një lider alternativ

Nga Ben Andoni

Në momentin sesi po zhvillohen gjërat në Shqipëri, duket se qetësia është shumë larg. Është e vërtetë që vendi ynë i ka gati të përhershme konfliktet politike, por pikërisht mësimi i tyre na paralajmëron se situata e tanishme me Pozitën dhe Opozitën nuk ka gjasa të vazhdojë normal për kohën e mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme. Kurse kriza e madhe politike e vendit, shkaktuar nga kundërshtimi konstant i PD-së dhe aleatëve të saj, do të ketë pasojat e veta. Është për të ardhur keq se kryeministri i vendit nuk po di ta lexojë si duhet protestën. Është e drejtë që Opozita ka përdorur mjete jo demokratike (ajo e mohon se ishin njerëzit e saj!!), porse në momentet që jemi, një gjë kuptohet qartë: drejtimi i maxhorancës ka filluar të bjerret në një masë shumë të madhe. Ashtu si Opozita me përçarjen e madhe dhe të pafre e ka të vështirë të orientohet në konceptimet e reja, që do t’i bëjë luftës së saj. Djegia e mandateve mund t’i shkaktojë shumë probleme, pasi fillimisht nga LSI-ja, por nuk është larg dhe nga radhët e saj të ketë shumë pakënaqësi për këtë vendim, që mund t’i rraskapisë.

A mundet kryeministri i vendit të drejtojë me yes-man, që nuk e kundërshtojnë për asgjë, dhe përballë numrave që nuk janë sfidues? Patjetër që po. Me këtë nivel demokracie që ka vendi, çdo gjë është e mundur. Veçse kjo nuk  ndryshon asgjë. Logjika të çon në faktin që mandati i z.Rama mund të rezistojë me sforco dhe dy vjet, derisa të vinë zgjedhjet, ose më saktë ai mund të inincojë zgjedhje të parakohshme, por ai vetë do e ketë vështirë të ngjallë më besim si dikur.

Partia Socialiste duhet të fillojë të mendojë seriozisht për të ardhmen e saj, pasi mungesa e zgjedhjeve demokratike brenda partisë ka fashitur gjithçka në emër të Yes-man, që vetëm i bëjnë hosana Njëshit të Partisë. Deri më tani, janë tre personazhe që duken si më të besueshëm për të vijuar punën e tij: Erion Veliaj, Ditmir Bushati dhe në fund Pandeli Majko. Ky i fundit ka stofin e politikanit serioz dhe që empatia e bën të besueshëm në artikulimet e tij. Ndoshta mungesa e formimit ekonomik mund t’ia vështirësojë punën sa i përket rregullimit dhe kuptimit të drejtë të problemeve ekonomike të vendit. Por, përvoja si kryeministër (ka qenë dy herë), mund t’i japë shumë dorë në mbajtjen e një ekuilibri të nevojshëm.

Erion Veliaj ka energjinë dhe egon që ta realizojë detyrën e kryeministrit, por problemi është se kasta e PS-së e ka të vështirë të mësohet me energjinë dhe frymën e tij.

I fundit, por jo nga rëndësia është ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, që ka ngritur një staturë në mandatin e tij si drejtues, kurse me maturinë politike ka treguar se mund të marrë përgjegjësi. Këtë e tregoi në rastin e prononcimeve për Kosovën, por sidomos edhe në marrëdhënien e kujdesshme që ngriti me kolegun e tij grek në Marrëveshjen e re Tiranë-Athinë.

PS-ja duhet realisht të mendojë për të ruajtur individët, që mund t’i shërbejnë në të ardhmen ekzistencës së saj dhe mbajtjes në nivele të larta konkurrimi. Mësimi i PD-së është ende i freskët ashtu si dështimi i saj me një njeri si Basha, që e ka futur në qorrsokak jo vetëm partinë por edhe krejt politikën e vendit me paqartësinë e tij. Në rastin e PS-së, detyra është imediate, pasi Kryeministri i vendit po lëshon pa fund nga autoriteti i tij, paçka se për militantët ai duket në zenitin e vet.