Ballina OPINION Edhe njëherë për domosdoshmërinë e “dhunës”

Edhe njëherë për domosdoshmërinë e “dhunës”

nga Andi Bushati

Që nga protesta e opozitës të shtunën, kur u thyen 2- 3 tre xhama dhe kur shkërmoq kërpudha e artistit bashkëkohor Carsten Holler, i gjithë debati i politikës dhe studiove televizive po vërtitet rreth “dhunës”. Qeveria, kryetari i kuvendit, policia, garda, ambasadat e huaja njëra pas tjetërës, Brukseli dhe Uashingtoni po denoncojnë gjëmën që kujtojnë se ngjau dhe njësoj si Nastardini, po shpërndajnë ndëshkime e për atë që do të ndodhë në të ardhmen.

E zënë në çark, në këtë vorbull propogande edhe opozita, që kreu aktin e saj më radikal në këto 30 vite, duke djegur mandatet, është kapluar nga kompleksi i dënimit të akteve ekstraligjore. Shprehja e përfaqësueseve të saj i ngjan më shumë sjelljes së fajtorëve pa faj. Ata i dënojnë militantët e vet që kryen krime të barazvlefshme me mos ecjen mbi vijat e bardha, apo shkeljen e semaforëve, duke u justifikuar me alibinë: “gjithçka e bëri zemërimi i popullit i cili nuk pyet më as për ne”.

Në fak kjo është një gënjeshtër, sa e pabesueshme, po aq edhe e panevojshme. Nuk ka shqiptar që nuk e di se ato pak akte force që u bënë të shtunën e 16 shkurtit, ishin fryëmzuar, planifikuar dhe nxitur nga PD- LSI.

Por, debati nuk është ky. Pyetja që shtrohet nuk është nëse e ushtroi opozita, atë që për lehtësi komunikimi të gjithë kemi rënë dakord ta konsiderojmë si “dhunë”, por e rëndësishme është diçka tjetër: a qe e domosdoshme ajo, madje dhe akte shumë më ekstreme?

Përgjigjja më e thjeshtë për këtë na vjen nga një demokraci shumë më e lashtë dhe e përparuar se ne, nga një vend që i ka prerë kokat e mbretërve dy shekuj më parë, pra nga Franca e cila u përball me një krizë shumë më të fortë demokracie, me protestën mbi tre mujore të jelekëve të verdhë. Ato që ndodhën çdo fundjavë në avenue des ChampsÉlysées mund të konsideroheshin vërtet akte dhune pa përdorur thonjzat që ne vëmë për të përshkruar atë që ngjau në Tiranë. Djegja dhe thyerja e dyqaneve, shkatërrimi i pronës private, bllokimi i autostradave, thyerja e statujave që gjendeshin brenda harkut të triumfit, qenë imazhet më të forta të asaj zemërate.

Dhe po të dëgjoje ata që e mbështesnin lëvizjen e “gilet jaunes” avokatia e tyre ishte unanime: “Nuk ka mënyrë tjetër veç akteve të dhunës, për të bërë të dëgjohet zëri i atyre që shpërfillen. Nuk ka mjet tjetër për ta bërë pushtetin dhe kastën të mbajë vesh”.

Natyrisht, njihet edhe kundër argumenti i atyre që qëmtojnë diferenca mes asaj që ndodhi në atdheun e galëve dhe kësaj që ka marrë jetë në vendin e shqiponjave. Ata thonë se nuk ka ngjashmëri, sepse në Francë u ngrit një pjesë e popullit, ato grupime margjinalizuara dhe rurale që nuk gjendeshin fare të përfaqësuara dhe ndiheshin të padëgjuara nga sferat e larta, ndërsa në Shqipëri, po proteston opozita, e cila kishte gati gjysmën e parlamentit, e cila ka vëmendjen mediatike, e cila është prezente kudo, pra që nuk mund të ankohet për shpërfillje dhe mos dëgjim.

Dhe këtu vijmë në pikën kyçe.

Po a mund të konsiderojë ç’do individ i arsyeshëm dhe me gjykim të lirë se opozita është e përfillur dhe e dëgjuar në Shqipëri?

A mund të quhet ajo e tillë, kur edhe pasi zbulon një vjedhje 40 milionëshe, askush nuk përfundon në burg?

A mund të quhet ajo e tillë, kur edhe pasi provohen vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me bandat e drogës, askush nuk ndëshkohet?

A mund të quhet ajo e tillë, kur qeveria fal koncesione dhe PPP që e tejkalojnë me pesë fish mandatin e saj kohor?

A mund të quhet ajo e tillë, kur parlamenti miraton ligje antikushtetuese “ad nominem” dhe askush nuk ka gjykatë ku të ankohet?

Të gjitha sa më sipër tregojnë se njësoj si kudo, nga Parisi në Karakas, aktet ekstarligjore të forcës, nuk janë asgjë më shumë se klithma për t’u dëgjuar dhe për të tërhequr vëmendjen.

Madje shpesh herë ato shërbejnë si katalizatorë për transformime të mëdha.

Nuk dua të përmend këtu një argument që e kam stërpërdorur, atë për vitin 1997. Por atëherë dhuna tragjike, madje rrëmbimi i armëve, prodhoi një Shqipëri më të mirë. Ajo shërbeu për shembjen e regjimit diktatorial të Berishës dhe sado e rëndë që ishte kostoja njerzore, ajo na la trashëgim një vend ku morën fund burgosjet politike të kundërshtarëve, ku Sudja dhe Xhaferri u zëvendësuan me banka private, ku megafoni i vetëm i pushtetit, ekrani shtetëror, u mposht nga dhjetra televizione të reja që lindën si pasojë e erës së re të lirisë.

Pra edhe tani, në situatën ku gjendemi, askush nuk mund ta mohojë se përdorimi i mjeteve ekstra ligjore është shpresë për ditë më të mira të nesërmen.

Duke qenë një nga ata që besojnë se është dhunë më e madhe të shembësh për interesa okulte 300 shtëpi të mjerësh tek unaza, sesa të thyesh kërpudhën; se është më ekstreme të rëmbesh tokën publike në qendër të Tiranës dhe të ndërtosh gjashtë kulla 200 milionëshe, sesa të zaptosh me forcë sallën COD të kryeministrisë; se është më kriminale të blesh vota me Avdulajt, sesa që protestuesit të hyjnë me forcë në mjediset e parlamentit: unë i shoh të dytat si të vetmen rrugë për të neutralizuar të parat.

Sepse të gjitha këto veprime të “dhunshme” nuk janë asgjë tjetër veçse apel që shqiptarët të hapin veshët dhe ndërkombëtarët të kthejnë sytë nga ato krime që propaganda e regjimit po i mban të relativizuara.  Dhe historia na mëson se sa më ekstreme të jenë këto akte, aq më e madhe do të jetë vëmendja për të dekriptuar mëkatet e rilindjes. Pra sa më shumë të shtojmë “dhunën”, aq më pranë do e kemi zgjidhjen.