Ballina Aktualitet Edhe një herë për sistemin e zgjedhjeve

Edhe një herë për sistemin e zgjedhjeve

nga Kreshnik Çollaku

Çdo zgjedhje është garë. Problemi më i madh sot në Shqipëri është ekzistenca apo jo e garës. Garë nuk ka kur një pale ble apo vjedh vota. Problemi i madh sot është asgjesimi i pengesave që nuk lejojnë garat e ndershme.

Më pas, duke folur për sistemet zgjedhore.

Sistemi më i pastër, më afër votuesit, zgjedhësit, që lidh kandidatin me votën direkte të njerëzve dhe detyrimet që ajo sjell më pas, llogaridhënien, është mazhoritari i pastër. Përballja nominale në çdo zonë, 100% pa garanci vendi e liste të sigurtë.

Kjo është gara e vërtetë.

Proporcionali i çdo lloji, garën e kalon nga individët te subjektet politike. Individët shërbejnë për t’i ngritur apo ulur kuotat politike subjektit, partisë. Për të qenë përfaqësues, proporcionali detyron një formë përzgjedhje demokratike brenda subjekteve, në respekt të cilësisë së kontributeve, karrierave.

Sistemi më hibrid është përzierja e të dyjave, listat e hapura. Ky sistem hibrid nuk është as maxhoritar, as proporcional. Teoritë populiste se një sistem i tillë pastron parlamentin, largon të paaftët, injorantët nga listat, dhe se përfaqëson qytetarët e votuesit është ose naivitet ose një hile populiste.

Me lista të hapura, kandidatët fitues nuk i përcakojnë votuesit e qytetarët. Me lista të hapura nuk ka pse individët të kërkojnë vota nga veriu në jug. Me lista të hapura, fushata do të bëhet nga studiot televizive, dhe fituesit do të jenë ata që pronarët e mediave do t’u shesin apo lejojnë kohën televizive.

Më pas, deputeti fitues nuk do të ketë asnjë përgjegjësi ndaj votuesit të një zone. Më pas, fituesit detyrimin do ta kenë ose ndaj Klan ose Top, ose ndaj ndonjë oligarku që do t’ua sigurojë këto hapësira, në varësi të shërbimit të marrë apo të dhënë.

Nëse doni garë, ajo e vërteta ndodh me mazhoritar të pastër 100%, me mazhoritar u shërbehet votuesve.

Me proporcional u shërbehet partive.

Me lista të hapura u shërbehet oligarkëve dhe pronarëve të mediave.